Kamerat kapën Thomas Tuchelin duke i bërtitur me zemërim një prej lojtarëve të Anglisë, pak çaste para një vendimi që rezultoi vendimtar në kualifikimin e “Tre Luanëve”.
Anglia mbërriti në stadiumin e Atlantës si favorite e madhe për të siguruar një vend në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2026, ku u përball me Republikën Demokratike të Kongos në ndeshjen e parë me eliminim direkt.
Megjithatë, anglezët u befasuan herët, pasi Brian Cipenga kaloi kombëtaren afrikane në epërsi që në minutën e shtatë.
Skuadra e Tuchelit krijoi raste gjatë gjithë takimit, por portieri i Kongos, Lionel Mpasi, zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme dhe mbajti në lojë ekipin e tij për pjesën më të madhe të ndeshjes.
Si në shumë raste të tjera këtë verë, kur Anglia kishte më shumë nevojë, në skenë doli kapiteni Harry Kane. Sulmuesi realizoi në minutat 75 dhe 86, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore të rëndësishme 2-1.
Megjithatë, nuk ishte vetëm dopieta e Kane që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Pak para golit të barazimit, Tuchel mori një vendim që mund të ketë shpëtuar ëndrrën e Anglisë në këtë Botëror.
Pak pas minutës së 60-të, trajneri gjerman u pa nga kamerat duke i bërtitur me nervozizëm mbrojtësit Djed Spence, i cili ishte aktivizuar si mbrojtës i djathtë për shkak të mungesave të Reece James dhe Jarell Quansah.
Spence kishte vështirësi gjatë ndeshjes dhe vetëm 10 minuta pas shpërthimit të Tuchelit, trajneri vendosi ta zëvendësonte me Eberechi Eze të Arsenalit.
Për të krijuar më shumë forcë ofanzive, Tuchel zhvendosi Declan Rice në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Eze iu bashkua repartit ofensiv. Vetëm katër minuta më vonë, Harry Kane realizoi golin e barazimit.
Më pas, kapiteni anglez shënoi edhe golin e fitores, ndërsa megjithëse Eze nuk u përfshi drejtpërdrejt në asnjërin prej golave, energjia dhe ndikimi i tij në lojë konsiderohen faktorë kyç në rikthimin e Anglisë./Telegrafi/
