Rreth 450 shkolla në Gjermani kanë marrë kërcënime për sulme, ndërsa autoritetet policore kanë nisur verifikimet për të përcaktuar burimin dhe seriozitetin e tyre.
Policia në qytetin Freiburg bëri të ditur se deri tani nuk ka prova që institucionet e kontaktuara përballen me ndonjë kërcënim konkret.
Edhe në Danimarkë, policia po heton kërcënimet për bomba të drejtuara ndaj disa shkollave. Sipas autoriteteve, një email identik u është dërguar një numri të madh personash.
Rastet vijnë në një periudhë kur një valë alarmesh të rreme dhe sulmesh kibernetike ka prekur shkolla, supermarkete, banka gjaku, sisteme të trafikut ajror dhe televizione në disa vende europiane.
Zyrtarë europianë dyshojnë se Rusia mund të jetë e përfshirë në një fushatë destabilizuese ndaj vendeve që mbështesin Ukrainën, por Moska i mohon këto akuza. Ndërkohë, javën e kaluar, më shumë se dhjetë shkolla në Spanjë u evakuuan pas marrjes së kërcënimeve për bomba me email.

