Cristian Chivu ka pranuar se Interi nuk e nisi siç duhet derbin ndaj Milanit, të cilin zikaltërit e humbën me rezultat 3-1.
Trajneri rumun ka theksuar se skuadra duhet të rikthejë vendosmërinë dhe mentalitetin që kishte sezonin e kaluar.
“Është një humbje që dhemb, sepse pritshmëritë ishin të larta. E nisëm gabim ndeshjen dhe i dhuruam shumë Milanit. Reaguam, shënuam dhe mund të barazonim, por Maignan bëri një pritje të jashtëzakonshme. Më pas, para pushimit, pësuam një tjetër gol që mund ta kishim shmangur”, deklaroi Chivu.
Chivu u ndal edhe te problemet e Interit në fillimet e ndeshjeve, duke kërkuar më shumë përqendrim dhe intensitet nga futbollistët e tij.
“Duhet të rikthejmë urinë për fitore, përulësinë dhe vendosmërinë. Ndonjëherë duket sikur pasqyrohemi në të kaluarën dhe në atë që kemi arritur. Duhet të mos i marrim gjërat si të mirëqena dhe të përmirësojmë qasjen ndaj ndeshjeve”.
Në fund, trajneri i Interit pranoi se skuadra e tij duhet të rikthejë mentalitetin e sezonit të kaluar.
“Vitin e kaluar kishim më shumë egërsi. Duhet ta gjejmë sërish atë. Kjo humbje nuk duhet të na rrëzojë, por të na bëjë të shikojmë veten në pasqyrë dhe të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë”, përfundoi Chivu.

