Legoja të vjen ndër mend si një nga lodrat kryesore të fëmijërisë së shumë njerëzve. Qoftë duke ndërtuar shtëpi, anije kozmike apo thjesht duke shkelur mbi atë pjesë të pakapshme, shumica e njerëzve kanë njëfarë përvoje me blloqet e vogla plastike të ndërtimit. Megjithatë, për disa, ajo u bë mjet i shprehjes artistike.
Nga: Nadine Waldmann / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com
Nathan Sawaya e çon ndërtimin me Lego në një nivel krejtësisht të ri. Në vitin 2001 e la punën e tij si avokat korporatash në Nju-Jork për t’u bërë artist i Legos me kohë të plotë në Los Anxhelos. “Kur isha avokat, shpejt arrita të kuptoja se ndihesha më rehat ulur në dysheme duke krijuar skulptura sesa ulur në një sallë bordi duke negociuar kontrata. Konfliktet dhe frikësimet e mia personale, së bashku me një dëshirë të thellë për lumturi të përgjithshme, hapën rrugën për t’u bërë artist me kohë të plotë”, komentoi Sawaya mes dyshimeve të miqve dhe familjes për këtë kalim jo edhe aq të lehtë. Ai kthehej në shtëpi nga puna dhe e përdorte artin si mënyrë për t’u çlodhur, duke anuar gjithnjë e më shumë te përdorimi i Legove. Për të ishte një kalim i natyrshëm, pasi, siç tha, “e sheh botën në drejtkëndësha”.
Nathan Sawaya pranë skulpturës së tij “Mbërthimi”
Kompania Lego u krijua në Danimarkë në vitin 1932. Fjala “Lego” vjen nga fjalët daneze “leg godt”, që do të thonë “luaj mirë”. Sawaya padyshim luan mirë me mediumin e tij. Ai specializohet në vepra me përmasa më të mëdha, që shkojnë nga një dinozaur 20 këmbë (gjashtë metra) i bërë prej 80 mijë copëzave të Legove e deri te rikrijimet prekëse të pikturave të famshme të Monetit dhe Munchut. Skulpturat fillimisht skicohen në letër me kocka ose me softuer renderimi, përpara se të merret me fizikën e veprave më të ndërlikuara. Veprat e tij janë përzierje e Pop Artit, Surrealizmit dhe Pointilizmit.
Nathan Sawaya, “T-Reksi”
Që nga viti 2007, ekspozita e Sawayas, Arti i tullave [Art of the Brick] ka udhëtuar nëpër botë. Qasja e tij unike ndaj skulpturës ka frymëzuar fëmijë të të gjitha moshave që të krijojnë veprat e tyre me Lego, të cilat i tejkalojnë blloqet e vogla të plastikës po aq sa veprat e ekspozuara. Skulpturat e Sawayas janë veçanërisht nxitëse për mendim. Ai paraqet njerëz në gjendje kalimi ose metamorfoze – duke eksploruar dhe vënë në pikëpyetje veten dhe jetën e tyre në tema të fuqishme si pikëllimi dhe dyshimi.
Nathan Sawaya, “Shtrirja e kuqe”, 2011
Një vepër kryesore në ekspozitë është E verdha, një autoportret i artistit në përmasa reale, duke e ekspozuar dhe ndarë veten me botën. Është një shembull i fuqishëm i cenueshmërisë dhe papërpunueshmërisë në veprën e tij. Figura jo vetëm që po e copëton veten, por edhe po ndërtohet përsëri.
Nathan Sawaya, “E verdha”, 2007
Në këto linja, Sawaya krijoi disa figura që manipulonin ngjyrat në një mënyrë vizualisht mbresëlënëse, por edhe të fuqishme në nivel ndijor. Metamorfoza paraqet një notar të rrethuar nga valët e ujit. Nga plastika përcillet një ndjenjë e madhe lëvizjeje. Pranë statujës janë fjalët e artistit: “Noto kundër rrymës. Ndiq rrugën tënde. Gjeje guximin brenda vetes”.
Një tjetër vepër emocionalisht prekëse është Biri im, me një baba që mban të birin në krahë.
Nathan Sawaya, “Metamorfoza”
Puna në projektet e tij, ndonjëherë për muaj me radhë dhe deri në 12 orë në ditë, e vë Sawayan në një gjendje transi. Për të, Legot janë mjete të arritshme dhe të fuqishme, të afta të mbajnë brenda diçka frymëzuese. Çdokush mund të shkojë në shtëpi dhe të fillojë të ndërtojë me to. Sado intensive që mund të jenë rutinat e tij krijuese, ai thotë: “Dita ime më e keqe si artist është ende më e mirë se dita ime më e mirë si avokat”.
Nathan Sawaya, “Biri im”
Deklarata e tij që më pëlqen më shumë dhe që më kumbon më fort është “arti i bën njerëzit më të mirë; arti është i domosdoshëm për ta kuptuar botën dhe arti i bën njerëzit të lumtur. Pa dyshim, arti nuk është opsional”. Një ndjenjë me të cilën të gjithë ne këtu mund të lidhemi. /Telegrafi/