Pas miratimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatët Asdren Bytyqi dhe Adrian Ibrahimi kanë folur për efektet e këtij ligji dhe rëndësinë e vlerësimit të tij nga aspekti kushtetues.
Avokati Asdren Bytyqi, në emisionin FIVE, tha se efekti përfundimtar i ligjit mund të vlerësohet vetëm pasi të shqyrtohet kushtetutshmëria e tij.
“Efekti i saj përfundimtar vihet në pah pas vlerësimit të kushtetutshmërisë së saj. Çdo efekt i mëparshëm, rrjedhimisht çdo gjykim mbi efektin e mëparshëm, është i parakohshëm”, deklaroi Bytyqi.
Ndërkaq, avokati Adrian Ibrahimi theksoi rëndësinë që miratimi i këtij ligji të mos ndikojë negativisht në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shumë është me rëndësi mos me u dëmtu imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shpresojmë që ky veprim, ose ky projektligj që është miratuar dje, të mos kuptohet në konotacion negativ, por të kuptohet si një kërkesë për zbatimin e të drejtës në mënyrë të plotë, të barabartë dhe objektive nga Dhomat e Specializuara”, tha Ibrahimi.
Ai rikujtoi se Dhomat e Specializuara janë krijuar me vetëdije dhe vullnet nga shteti i Kosovës, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të drejtës në mënyrë objektive.
“Dhomat e Specializuara janë krijuar me vetëdije edhe me vullnet nga shteti i Kosovës”, shtoi Ibrahimi.