Prodhuesi kinez BYD ka prezantuar modelin e ri Fang Cheng Bao Tai 9, një SUV hibrid me gjashtë ulëse, i cili sjell një teknologji të pazakontë: timonin që paloset dhe zhduket plotësisht brenda panelit të instrumenteve.
Automjeti është lansuar në tregun kinez në nëntor 2026 dhe ofrohet në tri versione, me çmime që variojnë nga rreth 34 mijë deri në 40 mijë euro.
Timoni mund të rrotullohet deri në 180 gradë dhe të futet brenda panelit për vetëm 10 sekonda.
Më pas, një kapak elektrik mbyll hapësirën, duke krijuar një sipërfaqe të sheshtë.
Ky funksion aktivizohet vetëm kur automjeti është i ndalur dhe kombinohet me ulësen e shoferit, e cila mund të shtrihet deri në 165 gradë, duke e kthyer kabinën në një hapësirë për relaksim.
Sipas BYD, mekanizmi përdor teknologji motorike të zhvilluar për robotët humanoidë.
Sa i përket performancës, SUV-i kombinon një motor 1.5-litërsh turbo me dy motorë elektrikë, duke prodhuar gjithsej 536 kuaj fuqi. Ai përshpejton nga 0 në 100 km/h për 4.8 sekonda.
Bateria prej 66.48 kWh mundëson deri në 310 kilometra autonomi vetëm me energji elektrike.
Aktualisht, modeli është i disponueshëm vetëm në Kinë, ndërsa ende nuk ka informacione për daljen e tij në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/

