Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për realizimin e projektit “Parku Industrial në Livadicë të Podujevës”, investim me vlerë prej 3,118,295.56 euro.
Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi bëri të ditur se marrëveshja është nënshkruar së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila.
“Sot, bashkë me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, nënshkruam marrëveshjen për realizimin e projektit ‘Parku Industrial në Livadicë të Podujevës’, me vlerë prej 3,118,295.56 euro”, ka shkruar Bulliqi.
Sipas tij, projekti tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit dhe punimet në terren pritet të nisin së shpejti.
“Projekti ka hyrë në fazën e zbatimit dhe shumë shpejt do të nisin punimet për realizimin e tij në terren. Projekti i Parkut Industrial do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mundësive për investime”, ka deklaruar ai.
Bulliqi ka falënderuar ministren në detyrë Mimoza Kusari Lila për mbështetjen në realizimin e projektit.
“Falënderoj ministren për gatishmërinë për nisjen e këtij projekti kaq të madh për Podujevën”, ka theksuar kryetari i Podujevës.
Në fund, ai ka uruar qytetarët për fillimin e këtij investimi.
“Urime të gjithë qytetarëve të komunës sonë!”, ka përfunduar Bulliqi. /Telegrafi/
