Bosnja dhe Hercegovina ka mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën nokaut të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Katarin me rezultat 3-1 në ndeshjen e fundit të Grupit B.
Skuadra e drejtuar nga Sergej Barbarez zhvilloi një paraqitje solide dhe e mbylli fazën e grupeve me katër pikë, duke pritur tani rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të avancojë si njëra prej kombëtareve më të mira të vendeve të treta.
Boshnjakët kaluan në epërsi në minutën e 29-të falë një supergoli të Kerim Alajbegoviqit, i cili depërtoi bukur dhe dërgoi topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.
Vetëm pesë minuta më vonë, Bosnja e dyfishoi avantazhin me ndihmën e fatit, pasi portieri Mahmoud Abunada devijoi topin në rrjetën e tij për autogolin që solli rezultatin 2-0.
Katari u rikthye në lojë para pushimit. Në minutën e 42-të, Hasan Al Haydos shfrytëzoi një asistim të Edmilson Junior dhe shënoi për 2-1, duke i dhënë shpresë skuadrës së Julen Lopeteguit për pjesën e dytë.
Megjithatë, boshnjakët ruajtën kontrollin e ndeshjes dhe vulosën fitoren në minutën e 80-të. Pas një pritjeje të portierit katarian ndaj goditjes së Esmir Bajraktareviqit, topi përfundoi te Ermin Mahmiq, i cili realizoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 3-1.
Bosnja pati raste të tjera për të thelluar avantazhin, me Edin Dzekon që goditi shtyllën dhe me Bajraktareviqin që detyroi portierin kundërshtar të bëjë disa pritje të rëndësishme.
Me këtë triumf, Bosnja dhe Hercegovina e mbyll fazën e grupeve me katër pikë dhe tani pret me interes zhvillimet në grupet e tjera, duke shpresuar që bilanci i saj të jetë i mjaftueshëm për një vend në mesin e skuadrave më të mira të renditura në pozitën e tretë. /Telegrafi/
