BMW Group ka hapur fabrikën e re të baterive në Irlbach-Straßkirchen, në Bavari të Gjermanisë, duke nisur prodhimin në seri të baterive të tensionit të lartë të gjeneratës së gjashtë. Fabrika do të furnizojë uzinën e BMW-së në Mynih me bateri për modelin e ri elektrik BMW i3.
Investimi i BMW-së në fabrikën e re arrin në rreth 1 miliard euro, ndërsa në total kompania ka investuar rreth 2 miliardë euro në prodhimin e automjeteve dhe baterive në Gjermani. Investimet përfshijnë uzinat në Mynih dhe Dingolfing, si dhe fabrikën e re të baterive në Irlbach-Straßkirchen.
Ndërtimi i fabrikës nisi në prill të vitit 2024 dhe përfundoi në një kohë rekord. Impianti shtrihet në një sipërfaqe prej 60 hektarësh dhe ka rreth 50 mijë metra katrorë hapësirë prodhuese.
Në fabrikë përdoren rreth 500 robotë, ndërsa proceset e prodhimit monitorohen vazhdimisht dhe të dhënat analizohen edhe me ndihmën e inteligjencës artificiale. Kur të arrijë kapacitetin e plotë, fabrika pritet të punësojë rreth 1,600 persona dhe të prodhojë disa qindra bateri të tensionit të lartë në ditë.
Bateritë e reja Gen6 përdorin qeliza cilindrike dhe teknologjinë “cell-to-pack”, ndërsa vetë bateria bëhet pjesë e strukturës së automjetit. BMW thotë se gjatë zhvillimit të teknologjisë së re eDrive ka regjistruar më shumë se 500 patenta për inovacione.
Për çdo bateri monitorohen më shumë se 3,500 pika të të dhënave në kohë reale. Çdo bateri i nënshtrohet gjithashtu një kontrolli përfundimtar në linjën e prodhimit.
Fabrika është projektuar për të funksionuar pa përdorimin e karburanteve fosile. Një pjesë e energjisë elektrike prodhohet nga panelet fotovoltaike në objekt, ndërsa pjesa tjetër vjen tërësisht nga burime të rinovueshme. Procesi i montimit të baterive nuk kërkon përdorimin e ujit.
BMW thekson se përdorimi i materialeve të ricikluara dhe energjisë së rinovueshme ka ndihmuar në uljen e emetimeve. Krahasuar me qelizën Gen5 të gjeneratës së mëparshme, emetimet e CO₂e për vat-orë janë ulur me rreth 33 për qind.
Bateritë e prodhuara në Irlbach-Straßkirchen do të përdoren fillimisht në BMW i3 të ri. Versioni BMW i3 50 xDrive ka bateri me kapacitet prej 108.7 kWh dhe autonomi deri në 906 kilometra, sipas ciklit WLTP. Falë sistemit 800 volt dhe karikimit me rrymë të vazhdueshme deri në 400 kW, në 10 minuta mund të shtojë deri në 423 kilometra autonomi, sipas standardit të specifikuar nga BMW.
Fabrika në Bavari është pjesë e strategjisë së BMW-së për të prodhuar bateritë pranë fabrikave të automjeteve. Kompania po ndërton impiante të ngjashme në Debrecen të Hungarisë, Shenyang të Kinës, Woodruff të SHBA-së dhe San Luis Potosí të Meksikës.
Me fabrikën e re, BMW synon të forcojë prodhimin e teknologjisë së elektromobilitetit në Gjermani dhe të sigurojë furnizimin me bateri për gjeneratën e re të automjeteve të saj elektrike. /Telegrafi/