KRU Mitrovica ka apeluar te konsumatorët që të tregojnë kujdes me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, duke theksuar punën e ekipeve që intervenojnë në terren për sanimin e defekteve.
Përmes një njoftimi, kompania ka publikuar fotografi dhe video nga puna e ekipeve në terren, duke thënë se ato paraqesin vetëm një pjesë të situatave me të cilat punëtorët përballen çdo ditë.
Sipas KRU Mitrovicës, rrjedhjet e ujit, kanalizimet e bllokuara, mbetjet e hedhura në rrjet dhe dëmtimet e ndryshme shkaktojnë probleme për sistemin dhe komunitetin.
“Punonjësit tanë dalin në terren në çdo kohë, në kushte jo gjithmonë të lehta, për të lokalizuar problemet, për t’i sanuar ato dhe për të rikthyer shërbimin sa më shpejt”, thuhet në njoftim.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos hedhin mbeturina, vajra, peceta, materiale ndërtimore apo sende të tjera në kanalizime.
Po ashtu, KRU Mitrovica ka kërkuar që rrjedhjet dhe defektet të raportohen me kohë, në mënyrë që ekipet të mund të intervenojnë sa më shpejt.
“Shërbimi cilësor është përgjegjësi e jona, por mirëmbajtja dhe mbrojtja e rrjetit është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/