Zv. kryeministri dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migracion, Magnus Brunner. Në qendër të diskutimeve ishin menaxhimi i kufijve, migracioni, bashkëpunimi në siguri dhe ndikimi i Sistemit të Hyrje-Daljes (Entry/Exit System – EES) dhe rregullit 90/180 ditë mbi transportuesit profesionistë, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sali theksoi se transporti rrugor është jetik për ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe zinxhirët e furnizimit me Bashkimin Evropian.
Ai nënvizoi nevojën për dialog të shpejtë dhe zgjidhje praktike afatshkurtra për shoferët profesionistë, paralelisht me zgjidhjet afatgjata, duke ruajtur standardet e sigurisë së hapësirës Shengen.
Në takim u theksua bashkëpunimi operacional me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), përfshirë pikën e re të koordinimit në Bllacë, si dhe lehtësimi i kalimit kufitar përmes modelit One Stop Shop në Qafë Thanë.
U trajtuan gjithashtu bashkëpunimi me Europol, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve, si dhe harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së./Telegrafi/

