Sipas Raportit të Progresit, Kosova ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar, kryesisht në forcimin e kapaciteteve të Policisë, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmirësimin e hetimeve proaktive. Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se mbeten sfida në bashkëpunimin mes Policisë dhe Prokurorisë, konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe përdorimin e mjeteve moderne teknologjike në hetime.
Në Raportin për Kosovën 2026, Komisioni Evropian konstaton se vendi ka një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka shënuar “disa përparime” gjatë periudhës raportuese, transmeton Zeri.info.
Sipas raportit, një nga zhvillimet kryesore është dyfishimi i strukturave të inteligjencës në Policinë e Kosovës, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal. Kjo, së bashku me angazhimin e zyrtarëve të dedikuar për lagje dhe sektorë, ka rritur kapacitetet analitike, ka përmirësuar hartëzimin e krimit të organizuar dhe ka forcuar mundësinë për nisjen e hetimeve proaktive.
Komisioni Evropian përmend si zhvillime pozitive edhe miratimin e Planit Strategjik të Zhvillimit të Policisë së Kosovës, Strategjisë për Policimin e Integruar të Bazuar në Inteligjencë dhe Policimin në Bashkësi, si dhe Strategjisë së Burimeve Njerëzore të Policisë.
Në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar, raporti evidenton rritje të konsiderueshme të bashkëpunimit policor nga viti 2022 deri më 2025. Komunikimet operative janë rritur mesatarisht për 25 për qind në vit. Kosova ka marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim policor me shtatë shtete anëtare të BE-së, ndërsa shkëmben të dhëna me 12 shtete të tjera përmes rrjetit SIENA të EUROPOL-it.
Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës ka marrë pjesë në 12 plane operative dhe 72 aksione në kuadër të platformës evropiane EMPACT për luftimin e kërcënimeve kriminale. Në ciklin e ri 2026–2027, Kosova është bashkëudhëheqëse në dy aksione operative që lidhen me krimin kibernetik dhe kontrabandimin e migrantëve.
Edhe bashkëpunimi gjyqësor me Eurojustin është vlerësuar si i mirë. Nga shtatori 2025 deri në mars 2026, Kosova është përfshirë në gjashtë raste të reja në këtë institucion, shumica prej të cilave lidhen me krimin e organizuar, mashtrimin dhe pastrimin e parave.
Megjithatë, raporti thekson se pavarësisht kapaciteteve të mira operative dhe hetimore të Policisë, mbetet thelbësore ruajtja e pavarësisë së saj operative. Po ashtu, kërkohet bashkëpunim më i ngushtë mes Policisë dhe Prokurorisë për identifikimin, hartëzimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale.
Një tjetër sfidë mbetet konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri në vlerë prej rreth 64 milionë eurosh, por vlera e pasurisë së konfiskuar përfundimisht ka qenë vetëm rreth 566 mijë euro. Komisioni Evropian vlerëson se autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet për përdorimin praktik të mekanizmave të konfiskimit.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e qasjes në mjete moderne teknologjike, e cila pengon hetimet efektive ndaj grupeve kriminale. Si sfidë tjetër përmendet fakti se Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, gjë që kufizon mundësitë e saj për pjesëmarrje të plotë në bashkëpunimin global kundër krimit.
Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim në këtë fushë, por thekson se rezultatet duhet të përkthehen edhe në hetime më efektive, bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional dhe konfiskim më të madh të pasurisë që buron nga aktivitetet kriminale. /Zëri
