Komisioni Evropian ka paraqitur masa të propozuara që do të kërkonin nga Google t’u japë motorëve të tjerë të kërkimit qasje në të dhëna kyçe të kërkimit, në kuadër të Aktit të Tregjeve Digjitale të BE-së (DMA), në një lëvizje që synon të rrisë konkurrencën në kërkimin online.
KE-ja tha se i ka dërguar kompanisë Google gjetje paraprake që përshkruajnë masat që i konsideron të nevojshme për pajtueshmërinë e kompanisë me rregullat digjitale të bllokut evropian.
Sipas këtyre masave të propozuara, Google duhet t’u lejojë motorëve të tjerë të kërkimit qasje në të dhëna të kërkimit, përfshirë të dhënat për renditjen, kërkimet, klikimet dhe shikimet, në kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese.
KE-ja tha se qëllimi është t’u mundësojë motorëve rivalë të kërkimit online të përmirësojnë dhe optimizojnë shërbimet e tyre dhe të sfidojnë më mirë pozicionin e Google Search në treg.
Ai shtoi se çështja përfshin edhe pranueshmërinë e chatbot-ëve të inteligjencës artificiale me funksione kërkimi për të marrë këto të dhëna.
Sipas deklaratës, masat e propozuara trajtojnë fushën e të dhënave që Google duhet të ndajë, mënyrat dhe frekuencën e ndarjes, masat mbrojtëse për të siguruar anonimizimin e të dhënave personale, parametrat për përcaktimin e çmimeve të drejta dhe proceset që rregullojnë qasjen në këto të dhëna.
KE-ja bëri të ditur se palët e interesuara do të mund të japin komente përmes një konsultimi publik që hapet nesër, më 17 prill. Pritet që procedurat e përcaktimit të përfundojnë brenda gjashtë muajve nga nisja e tyre në janar.
Rasti është pjesë e procedurave të nisura nga KE-ja në janar për të ndihmuar Google të përmbushë kërkesat e DMA-së, e cila kërkon që kompania t’u japë ofruesve të motorëve të tjerë të kërkimit qasje në të dhëna të anonimizuara për renditjen, kërkimet, klikimet dhe shikimet e mbajtura nga Google Search, në kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese.
Sipas DMA-së, platformat e mëdha online të përcaktuara si “portierë tregu” përballen me detyrime të rrepta për të siguruar tregje digjitale më të drejta dhe më konkurruese. Kompanitë që shkelin këto rregulla mund të gjobiten deri në 10 për qind të të ardhurave të tyre vjetore globale. /AA/Telegrafi/