Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara, Stavros Lamperinos, ka deklaruar se përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ka theksuar se për këtë nevojitet vullnet nga të dyja palët.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, Lamperinos ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mbetet një nga kushtet thelbësore për përparimin e tyre drejt integrimit evropian.
“Përfaqësuesja e Lartë mbetet e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë, por nevojitet vullnet nga të dyja palët. I inkurajojmë palët që ta marrin përsipër këtë përpjekje drejt normalizimit, të angazhohen në mirëbesim dhe ta mundësojnë një takim të tillë”, ka deklaruar ai.
Lamperinos ka riafirmuar përkushtimin e BE-së ndaj perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit, si dhe të marrëveshjeve të mëparshme të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ai ka shprehur gjithashtu shqetësim për situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet gjatë muajve të verës, përfshirë rrënimet.
Përfaqësuesi i BE-së ka përshëndetur edhe marrëveshjen e 14 marsit me Kosovën lidhur me Ligjin për të Huajt.
Në fund, Lamperinos u ka bërë thirrje palëve që të krijojnë kushtet për funksionimin e një gjyqësori shumetnik dhe për kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, si dhe të vazhdojnë përpjekjet për uljen e tensioneve.

