Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë prezantuar një partneritet të ri strategjik, të quajtur “Aleanca për të Ardhmen”, përmes të cilit synojnë të thellojnë bashkëpunimin në ekonomi, politikë dhe siguri, si dhe të ulin varësinë nga fuqitë e tjera globale. Nisma do të jetë e hapur edhe për shtetet e tjera që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta.
Marrëveshja u prezantua në Montreal nga kryeministri kanadez, Mark Carney, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilët theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve mes Kanadasë dhe 27 vendeve anëtare të BE-së, në një kohë të pasigurisë së shtuar gjeopolitike.
Carney tha se shoqëritë po përballen me sfida të shumta, duke përmendur krizën klimatike, dobësimin e institucioneve dhe normave demokratike, si dhe përdorimin e tregtisë si mjet për ushtrimin e presionit politik.
“Shoqëritë tona janë tronditur nga stuhi të reja”, deklaroi ai, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve që ndajnë të njëjtat parime, shkruan euronews.
Në përfundim të samitit dyditor, Kanadaja u zotua të kontribuojë në kredinë prej 90 miliardë eurosh për mbështetjen e Ukrainës. Ndërkohë, palët kanë përcaktuar si objektiva të ardhshëm krijimin e një tregu më të integruar, lehtësimin e barrierave tregtare dhe të udhëtimit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në arsim.
Afrimi mes Otavës dhe Brukselit po ndodh në një periudhë tensionesh tregtare mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Carneyt po kërkon të diversifikojë partneritetet ndërkombëtare dhe të zvogëlojë varësinë nga kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorët e mbrojtjes dhe teknologjisë.
Shqetësimet për këtë varësi janë shtuar edhe pas vendimit të Elon Muskut, në mesin e tetorit, për të kufizuar shpejtësinë e shërbimeve Starlink dhe Starshield mbi Ukrainë. Ky veprim, sipas raportimeve, kishte shkaktuar ndërprerje serioze në operacionet ushtarake dhe mbrojtëse ukrainase.
Carney ka theksuar vazhdimisht se kapacitetet teknologjike dhe mbrojtëse të Kanadasë nuk duhet të varen nga vendimet e kompanive private apo të individëve që mund të kenë interesa të ndryshme politike dhe ekonomike.
Përmes partneritetit të ri, Kanadaja dhe BE-ja synojnë të krijojnë lidhje më të qëndrueshme ekonomike dhe të sigurisë, duke forcuar aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë të pavarur në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të pasigurt. /Telegrafi/

