Shqipëria po synon të shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm për turizmin dentar, duke tërhequr gjithnjë e më shumë pacientë nga vendet e Evropës Perëndimore, të cilët kërkojnë trajtime dentare me çmime më të përballueshme.
Sipas medias britanike BBC., Tirana është qendra kryesore e këtij sektori, ku në zonën metropolitane funksionojnë afro 400 klinika dentare, shumica e të cilave ndodhen në qendër të qytetit.
Shumë prej tyre po synojnë klientë të huaj përmes faqeve të internetit dhe reklamave në gjuhën angleze e italiane.
BBC sjell rastin e Anthony Hook, 58-vjeçarit nga Boltoni i Anglisë, i cili ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të përfituar nga trajtimet dentare dhe për të fituar një buzëqeshje të re.
Sipas artikullit, një implant dentar në Shqipëri kushton zakonisht rreth 600 euro për dhëmb, çmim i ngjashëm me atë në Turqi, e cila prej vitesh është ndër destinacionet kryesore për pacientët evropianë që kërkojnë shërbime dentare më të lira.
Zhvillimi i këtij sektori po e vendos Shqipërinë në hartën e turizmit mjekësor, ndërsa klinikat synojnë të tërheqin më shumë pacientë ndërkombëtarë./Telegrafi/

