Të enjten, në ditën e fundit të fushatës para zgjedhjeve të parakohshme – të cilat shihen si një referendum për të ardhmen e vendit – në mbarë Serbinë janë zhvilluar tubime.
Kërcënimi kryesor ndaj dominimit të Vuçiqit në politikën serbe vjen nga një lëvizje studentore dyvjeçare, por ka shqetësime lidhur me drejtësinë dhe ndershmërinë e procesit zgjedhor, transmeton Klankosova.tv.
Pse është kaq e rëndësishme kjo lëvizje studentore?
Sipas BBC, ata nuk kanë liderë të qartë dhe nuk janë të përfshirë në politikë, por lëvizja "Lista Studentore – Studentët Fitojnë" ka tërhequr votues që kundërshtojnë qeverinë në të gjithë Serbinë.
"Lista Studentore" ka nxjerrë kandidatë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë serbe. Derisa iu bashkua studentëve që marshonin drejt Beogradit, kandidati kryesor Ilija Srdanoviç – u shpreh se historia po shkruhet sërish: "Energjia është e pandalshme."
Ajo që nisi si protestë javore e studentëve që kërkonin drejtësi në kampuset universitare dhe rrugët e qyteteve, u shndërrua shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare – shpesh e organizuar në nivel lokal – e cila përfshiu shumë shtresa të tjera të shoqërisë serbe, përfshirë fermerë, aktorë dhe gjyqtarë.

