Interpretimi i këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit zyrtar që shënoi hapjen e Forumit të dytë të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur të dielën në Bruksel, ka nxitur reagime dhe polemika të shumta.
Për këtë çështje ka shkruar edhe agjencia bullgare e lajmeve BGNES, e cila në artikullin e saj ka ndërlidhur incidentin me debatet që kanë shoqëruar të kaluarën e komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, nikoqire e këtij forumi, e cila kishte shprehur keqardhje për interpretimin e këngës, transmeton lajmi.net.
Sipas mediumit bullgar, polemikat janë shtuar edhe për shkak të pretendimeve për bashkëpunimin e mundshëm të Kos me ish-Shërbimin e Sigurimit Shtetëror jugosllav, të njohur si UDBA.
Në këtë kontekst, BGNES i referohet librit “Komisionerja”, të autorit dhe studiuesit slloven Igor Omerza, të publikuar në vitin 2026. Në këtë libër, autori paraqet dokumente arkivore të fundit të viteve 1980, përmes të cilave pretendon se Marta Kos kishte bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.
Omerza pretendon se në dokumentet e arkivuara shfaqen emrat e koduar “Tara” dhe “Blanka”, të cilët ai i ndërlidh me komisioneren aktuale të BE-së.
Materialet e prezantuara në libër trajtojnë gjithashtu kontaktet e pretenduara me shërbimet e sigurisë, përcjelljen e informacioneve dhe aktivitetet e lidhura me punën e Kos në transmetuesin gjerman Deutsche Welle, në Këln.
Sipas interpretimit të dokumenteve nga autori, Marta Kos fillimisht ishte regjistruar si burim informacioni, ndërsa më vonë ishte klasifikuar zyrtarisht si bashkëpunëtore.
Çështja është ngritur edhe në institucionet evropiane. Libri i Omerzës është prezantuar në Parlamentin Evropian me iniciativën e eurodeputetes sllovene Romana Tomc, përfaqësuese e Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Tomc i është drejtuar gjithashtu Komisionit Evropian me një pyetje me shkrim, përmes së cilës ka kërkuar shqyrtimin dhe hetimin e pretendimeve të reja, si dhe të dokumenteve arkivore të paraqitura nga autori slloven.
Ndërkohë, interpretimi i këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në një aktivitet zyrtar të BE-së ka rikthyer në vëmendje debatet për qasjen ndaj Kosovës dhe simbolikën që bartin këngë të tilla në kontekstin e marrëdhënieve rajonale./lajmi.net/

