Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në Bruksel ku po marrim pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin, takoi Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se e falënderoi për ftesën dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën.
“Vlerësova gjithashtu angazhimin e saj personal që zgjerimi i BE-së të mbetet në qendër të agjendës politike evropiane”, ka shkruar ajo, raporton IndeksOnline.
Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Lidhur me këtë, Haxhiu tha se Kosova është plotësisht i përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa qytetarët tanë janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit në gjithë rajonin.
“Ata meritojnë të shohin përparim konkret në rrugën drejt BE-së. Prandaj, i kërkova Presidentes Metsola të angazhohet që Këshilli i BE-së ta ftojë Komisionin Evropian të japë mendimin për kërkesën e Kosovës, siç ka kërkuar edhe vetë Parlamenti Evropian”, ka shkruar ajo.
“Kuvendi po u jep përparësi ligjeve që lidhen me reformat evropiane. Biseduam edhe për forcimin e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian përmes Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit dhe shkëmbimeve të drejtpërdrejta ndërmjet deputetëve dhe administratave të dy parlamenteve”.
Pos tjerash, Haxhiu bëri të ditur se ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e saj për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU), që është edhe bashkorganizator i kësaj konference.
“Presidentja Metsola u zotua se do të ndihmojë në këtë drejtim. Në fund, e ftova për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës”.

