Studimi tregon se kombinimi i sildenafilit ose tadalafilit me tamoxifen mund të ulë dhimbjen dhe të përmirësojë lakimin e penisit te pacientët në fazën e hershme të sëmundjes
Viagra është një nga barnat më të njohura në botë, e përdorur kryesisht për trajtimin e disfunksionit erektil, përkatësisht impotencës te meshkujt. Fillimisht, ky bar ishte zhvilluar për trajtimin e presionit të lartë të gjakut dhe dhimbjes në gjoks, të njohur si angina pectoris, por gjatë studimeve klinike u vërejt një efekt anësor shumë specifik, i cili më pas u bë edhe përdorimi kryesor i tij.
Së fundmi, shkencëtarët nga Anglia Ruskin University kanë zbuluar se sildenafil, përbërësi aktiv i Viagra-s, mund të ketë rol të rëndësishëm në ndaljen e përparimit të sëmundjes së Peyronie.
Sëmundja e Peyronie prek rreth 10 për qind të meshkujve
Kombinimi i dy klasave të barnave që përdoren gjerësisht mund të ofrojë trajtimin e parë efektiv për sëmundjen e Peyronie në fazën e hershme, sipas rezultateve të një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore The Journal of Sexual Medicine.
Sëmundja e Peyronie shkaktohet nga zhvillimi i indit fibroz cikatricial brenda penisit. Kjo mund të çojë në dhimbje, lakim të penisit, çrregullime seksuale dhe, në shumë raste, edhe në stres të rëndësishëm psikologjik.
Vlerësohet se kjo sëmundje prek rreth 10 për qind të meshkujve gjatë jetës së tyre. Megjithatë, pavarësisht përhapjes së saj, mundësitë e trajtimit mbeten të kufizuara, sidomos në fazën e hershme të sëmundjes.
Studimi, i realizuar nga Anglia Ruskin University dhe University College London Hospital, zbuloi se kombinimi i inhibitorëve të fosfodiesterazës së tipit 5, PDE5, si sildenafil, i njohur si Viagra, dhe tadalafil, i njohur si Cialis, me modulatorë selektivë të receptorëve të estrogjenit, SERM, përfshirë tamoxifen, mund të ngadalësojë ose madje të ndalë përparimin e sëmundjes, nëse përdoret herët, transmeton Telegrafi.
Përmirësim i lakimit të penisit te 43 për qind e pacientëve
Studimi klinik, i udhëhequr nga profesori David Ralph nga University College London Hospital, vlerësoi rezultatet te 133 meshkuj të diagnostikuar me sëmundje akute të Peyronie, të cilët u trajtuan me kombinim barnash gjatë një periudhe tremujore.
Rezultatet e tyre u krahasuan me një grup më të vogël pacientësh që morën kujdes standard, i cili përfshinte përdorimin e vitaminës E ose mungesën e terapisë aktive, pa ndërhyrje kirurgjikale.
Studimi tregoi se 43 për qind e pacientëve që morën terapinë e kombinuar patën përmirësim të lakimit të penisit. Kjo ishte pothuajse tri herë më shumë krahasuar me grupin që mori kujdes standard, ku përmirësim u vërejt te 15 për qind e pacientëve.
Në fillim të trajtimit, 65 për qind e pacientëve në grupin me terapi të kombinuar raportuan dhimbje gjatë ereksionit. Pas tre muajsh, kjo përqindje ra në vetëm 1.5 për qind. Për krahasim, në grupin me kujdes standard, dhimbja ra nga 50 për qind në 27 për qind.
Ndërhyrja e hershme mund të ndryshojë mënyrën e trajtimit të sëmundjes së Peyronie
Aktualisht nuk ka terapi orale të miratuara që është vërtetuar se parandalojnë përparimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë arsye, pacientët në fazën akute shpesh duhet të presin derisa gjendja të stabilizohet, para se t’u ofrohen trajtime të tjera, përfshirë injeksionet ose ndërhyrjen kirurgjikale.
Studiuesit theksojnë se përdorimi i ri i barnave tashmë të njohura mund të përshpejtojë përparimin në fusha ku ende ka nevoja të mëdha klinike të paplotësuara.
Sipas tyre, rezultatet tregojnë se ndërhyrja e hershme, e përqendruar në fibrozë, mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohet sëmundja e Peyronie. Ripërdorimi i barnave ekzistuese mund të mundësojë kalimin nga menaxhimi i simptomave në ndryshimin e vetë rrjedhës së sëmundjes.
“Ky punim konfirmon hulumtimet bazë shkencore që lidhen me ndalimin e përparimit të sëmundjes së Peyronie. Studimi tregon se, kur tamoxifen kombinohet me një inhibitor PDE5, ka përparim statistikisht më të vogël të sëmundjes dhe përmirësim të lakimit, krahasuar me grupin e kontrollit. Këtu shihet kalimi nga laboratori në praktikën klinike dhe shpresojmë që tani të mund të nisë një studim klinik prospektiv”, ka theksuar profesori Ralph.
Barnat e përmendura në këtë studim nuk duhet të përdoren pa vlerësim dhe përshkrim nga mjeku, sidomos te personat që kanë sëmundje të zemrës, përdorin nitrate ose marrin terapi të tjera për presionin e gjakut. /Telegrafi/
