Bradley Barcola ka reflektuar për periudhën e kaluar te Paris Saint-Germaini, duke pranuar se vetëm pas largimit nga Parisi e ka kuptuar plotësisht rëndësinë e sukseseve të arritura me klubin francez.
Në një intervistë për “Téléfoot”, sulmuesi francez ka folur për përvojën e tij te PSG-ja dhe për vështirësitë që po has në përshtatjen me skuadrën e Liverpoolit.
“Kur isha në Paris, nuk e kuptoja plotësisht atë që po bënim, sepse ishim mësuar vetëm të fitonim. Por, kur ndërron fanellën dhe shkon te një klub tjetër, e kupton se ajo që kemi arritur ishte vërtet diçka e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Barcola.
“Premierliga është më pak taktike”
Futbollisti pranon se përshtatja me futbollin anglez nuk po ndodh menjëherë, pasi mënyra e lojës në Premierligë ndryshon nga ajo që kishte përjetuar në Francë.
“Ende po përpiqem të përshtatem. Nuk është e lehtë, sepse realiteti këtu është krejtësisht ndryshe nga ai te PSG-ja. Mendoj se Premierliga është një kampionat më pak taktik. Në Paris kisha një trajner jashtëzakonisht të përpiktë në aspektin taktik, Luis Enriquen, ndërsa tani ambienti dhe stili i lojës janë krejtësisht të ndryshëm”, ka thënë sulmuesi.
Barcola, kështu, ka pranuar se suksesi i arritur me PSG-në nuk ishte diçka që mund të vlerësohej plotësisht gjatë kohës kur ishte pjesë e skuadrës parisiene.
Tani, në një ambient të ri dhe me kërkesa të ndryshme taktike, francezi po përpiqet të përshtatet me futbollin anglez dhe të gjejë ritmin e tij te Liverpooli. /Zëri

