Barcelona po përgatit bisedime të reja me Manchester United për një marrëveshje të përhershme për Marcus Rashford, pasi ka rënë dakord për kushtet personale me sulmuesin anglez.
Hansi Flick e sheh Rashfordin si një pjesë kyçe të planeve të tij në fazën ofensive, por United mbetet i palëkundur në vlerësimin prej 30 milionë eurosh.
Blaugranasit po i intensifikon përpjekjet për ta transferuar Rashfordin përfundimisht, pas periudhës së tij produktive në huazim në Spanjë. Sipas talkSPORT, Barcelona planifikon të zhvillojë bisedime të reja për transferimin me “Djajtë e Kuq” para Kupës së Botës 2026.
Reprezentuesi i Anglisë shënoi 14 gola dhe dha 14 asistime në 49 paraqitje, duke e bindur Hansi Flickun se ai duhet të mbetet pjesë e projektit afatgjatë sulmues të klubit.
Raportohet se katalanasit kanë arritur marrëveshje për kushtet personale me Rashfordin, i cili është i gatshëm të pranojë një strukturë të rishikuar kontrate dhe një pagë më të ulët në total, për ta lehtësuar realizimin e transferimit.
Kufizimet financiare të Barcelonës nënkuptojnë se negociatat me Manchester United tani do të përqendrohen te shuma e kartonit. Megjithatë, United po refuzon t’i ulë kërkesat.
Klubi anglez dëshiron që Barcelona ta aktivizojë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh, i cili ishte i përfshirë në marrëveshjen fillestare të huazimit, dhe nuk është i gatshëm të miratojë një tjetër huazim.
Po ashtu, “Djajtë e Kuq” thuhet se e kanë bërë të qartë se këtë verë duan ndarje përfundimtare nga Rashford.
Klubi është i interesuar edhe t’i heqë pagat e tij nga bilanci, si pjesë e planeve për rindërtimin e skuadrës.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, thuhet se ka shqyrtuar struktura alternative, përfshirë edhe një tjetër huazim me detyrim të kushtëzuar blerjeje, por United i ka rezistuar këtyre propozimeve./Telegrafi/
