Barcelona po shqyrton hapa të mëtejshëm ligjorë, pasi UEFA e ka refuzuar ankesën zyrtare të klubit lidhur me vendimet e gjykimit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madridit.
Sipas raportimeve, Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka hedhur poshtë ankesën duke e cilësuar si “të papranueshme”, pavarësisht kundërshtimeve të Barcelonës për disa vendime kyçe gjatë takimit, përfshirë një rast të diskutueshëm penalltie që lidhej me Marc Pubill.
Presidenti i përkohshëm i Barcelonës, Rafa Yuste, konfirmoi se departamenti ligjor i klubit po e analizon tani situatën dhe po vlerëson opsionet e radhës.
“Ekipi ynë ligjor po e shqyrton këtë çështje. Duhet të analizojnë bazat mbi të cilat është ngritur kjo ankesë dhe, pasi të jetë vlerësuar gjithçka, do të veprojmë në përputhje me rrethanat”, u shpreh Yuste.
Barcelona ka prekur gjithashtu edhe kushtet e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin “Metropolitano”, pasi stafi teknik kishte ngritur shqetësime për përgatitjen e fushës në prag të ndeshjes së kthimit.
Megjithatë, Yuste theksoi se nuk ka një konflikt të hapur, duke nënvizuar se UEFA tashmë e ka sqaruar situatën me të dyja klubet.
“Nuk jam i shqetësuar për fushën. UEFA mbajti një takim këtë mëngjes me të dyja klubet dhe është e qartë se gjithçka do të jetë në rregull. Ka besim të plotë”, deklaroi ai.
Duke folur për objektivin e Barcelonës në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, Yuste u shfaq optimist për kualifikimin në gjysmëfinale, duke vlerësuar mentalitetin dhe progresin e skuadrës.
“Jam shumë optimist. Kam udhëtuar me ekipin, i kam parë në stërvitje dhe e kam parë vetë sa të vendosur janë këta djem”.
“Prej rreth dy vitesh po luajmë me lojtarë të dalë nga akademia, të përkushtuar ndaj projektit… dhe jemi krenarë që na përfaqësojnë”, përfundoi Yuste. /Telegrafi/