Barcelona ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjeve zhgënjyese nga Paris Saint-Germain dhe Real Madridi, duke triumfuar 3-0 ndaj Aston Villës në Spotify Camp Nou, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Hansi Flickut e nisi në mënyrë fantastike takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e shtatë. Lamine Yamal përfitoi nga një gabim i Aston Villës gjatë ndërtimit të aksionit nga mbrojtja dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë.
Mysafirët anglezë tentuan të riktheheshin në lojë dhe të merrnin kontrollin e ndeshjes, por portieri Joan Garcia ishte në nivel të lartë. Ai reagoi shkëlqyeshëm për të ndalur një goditje të fuqishme të Johan Manzambit, duke ruajtur epërsinë e Barcelonës deri në pushim.
Në pjesën e dytë, katalanasit e dyfishuan rezultatin. Një goditje e Raphinhas u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke e vështirësuar edhe më shumë misionin e Aston Villës.
Braziliani nuk u ndal me kaq. Në minutën e 65-të, ai lexoi në mënyrë perfekte një top të gjatë nga prapavija dhe, pasi u gjend në pozitë të favorshme, realizoi me qetësi për 3-0.
Aston Villa pati mundësinë të shënonte golin e nderit, por goditja me kokë e Leon Goretzkas u ndal nga shtylla.
Frenkie de Jong e nisi ndeshjen nga banka rezervë, ndërsa u aktivizua në 20 minutat e fundit, duke zëvendësuar Pedrin, i cili ishte i lodhur.
Kjo fitore i jep Barcelonës një shtysë të rëndësishme morale përpara përballjes së madhe të së dielës në La Liga ndaj Atletico Madridit, që renditet e dyta, vetëm dy pikë prapa katalanasve. /Zëri

