KORREKT / SOT7 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Bankat zvicerane paralajmërojnë për ngjitëset në kartat bankare: Mund të ngecin në bankomate dhe të shkaktojnë shpenzime shtesë

Bankat zvicerane paralajmërojnë për ngjitëset në kartat bankare: Mund të ngecin në bankomate dhe të shkaktojnë shpenzime shtesë

Ngjitëset dekorative që përdoren për t’u dhënë kartave bankare një pamje më të veçantë mund të shkaktojnë probleme gjatë përdorimit të tyre. Bankat zvicerane paralajmërojnë se ato mund të pengojnë funksionimin e kartave, të shkaktojnë ngecjen e tyre në bankomate dhe, në raste të caktuara, t’u sjellin mbajtësve edhe shpenzime shtesë.

Ky trend është bërë i popullarizuar në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku përdoruesit publikojnë video duke treguar se si i dekorojnë kartat e tyre të debitit dhe kreditit me ngjitëse të ndryshme. Disa prej tyre përdorin dizajne të gatshme, ndërsa të tjerë zgjedhin fotografi dhe mbishkrime personale, shkruan 20 minuten.

Në Gjermani, këtë mundësi e ofron edhe kompania Cewe përmes stacioneve të saj të fotografisë. Megjithatë, shërbimi nuk është aktualisht i disponueshëm në Zvicër, pasi, sipas kompanisë, kërkon teknologji të veçantë për shtypjen dhe prerjen e ngjitëseve, e cila nuk përdoret në stacionet zvicerane.

Megjithatë, ngjitëse për karta bankare mund të gjenden edhe në dyqane online në Zvicër, përfshirë Apfelkiste.

Bankat paralajmërojnë për rrezikun e ngecjes së kartave

PostFinance këshillon kundër përdorimit të ngjitëseve, pasi trashësia shtesë e kartës mund të shkaktojë probleme në bankomate dhe pajisje të tjera, si matësit e parkimit.

” Në varësi të madhësisë së ngjitëses, karta bëhet pak më e trashë. Kjo mund të shkaktojë ngecjen e saj në bankomate, matësa parkimi etj., ose të parandalojë futjen e saj fare”, ka deklaruar Dörte Horn, zëdhënëse për media e PostFinance.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se mbetjet e ngjitësit mund të dëmtojnë pajisjet.

Edhe Migros Bank rekomandon që të mos përdoren ngjitëse apo filma dekorativë në kartat bankare.

“Elementet ngjitëse mund të dëmtojnë funksionimin e duhur të kartës dhe të kufizojnë përdorimin e saj të sigurt në transaksionet e pagesave”, ka deklaruar zëdhënësi i bankës, Urs Aeberli, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, rreziku është veçanërisht i madh te bankomatet që e tërheqin kartën plotësisht brenda pajisjes, pasi ngjitësja mund të pengojë procesin e futjes, përpunimit ose kthimit të saj.

Raiffeisen gjithashtu këshillon kundër dekorimit të kartave bankare. Zëdhënësi Joël Grandchamp thekson se çipi dhe shiriti magnetik duhet të mbeten plotësisht të lexueshëm në mënyrë që karta të funksionojë siç duhet.

Të tri bankat theksojnë rëndësinë e mosmbulimit të elementeve që mundësojnë funksionimin e kartës. Migros Bank përmend gjithashtu zonën e pagesave pa kontakt, numrin e kartës dhe elementet e sigurisë.

Mund të ketë edhe shpenzime për riparimin e bankomatit

Përveç problemeve teknike, përdorimi i ngjitëseve mund të sjellë edhe pasoja financiare për mbajtësit e kartave.

“Nëse bankomati dëmtohet, shpenzimet dhe kostot e riparimit mund t’i kalohen mbajtësit të kartës”, ka paralajmëruar Aeberli nga Migros Bank.

Ndërkohë, politikat për zëvendësimin e kartave të bllokuara ndryshojnë nga një bankë në tjetrën.

PostFinance bën të ditur se, nëse një kartë mbetet e bllokuar në një bankomat të saj, ajo shkatërrohet dhe zëvendësohet pa pagesë.

Migros Bank, nga ana tjetër, mund të aplikojë tarifa, në varësi të rrethanave. Sipas bankës, mundësia e kthimit të kartës varet nga operatori i bankomatit dhe procedurat e tij të brendshme.

Edhe Raiffeisen rezervon të drejtën të aplikojë tarifë në rastet kur ngjitësja ka dëmtuar funksionalitetin e kartës ose e ka bërë atë të papërdorshme.

Sa i përket shpeshtësisë së rasteve kur kartat e dekoruara shkaktojnë probleme apo bllokohen në bankomate, Raiffeisen ka bërë të ditur se nuk mban statistika për këtë dukuri në Zvicër./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.