Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Francës (Banque de France) – EDUCFI e kanë nënshkruar një konventë bashkëpunimi, duke institucionalizuar bashkëpunimin për zhvillimin dhe avancimin e edukimit financiar në Kosovë.
E udhëhequr nga banka qendrore franceze, EDUCFI është Strategjia Kombëtare Franceze për Edukimin Financiar. Të gjitha mjetet e zhvilluara nga Banque de France në kuadër të EDUCFI janë të dizajnuara të jenë të qasshme, të besueshme, neutrale dhe pa pagesë, duke u ndihmuar njerëzve të kuptojnë më lehtë çështjet financiare.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt arritjes së objektivave strategjike të BQK-së për forcimin e edukimit financiar, promovimin e përfshirjes financiare dhe rritjen e njohurive, shkathtësive, qëndrimeve dhe sjelljeve financiare të qytetarëve.
Ajo mundëson përshtatjen e materialeve edukative që do të përdoren nga BQK-ja në aktivitetet e saj të edukimit financiar në Kosovë. Gjithashtu, krijon mundësi për zhvillimin e formave të tjera të bashkëpunimit në fushën e edukimit financiar, përfshirë organizimin e ngjarjeve të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe zbatimin e aktiviteteve edukative dhe komunikuese.
Partneriteti me Banque de France do të kontribuojë në zgjerimin e programeve edukative dhe në ofrimin e materialeve moderne e cilësore për kategori të ndryshme të qytetarëve, duke mbështetur zhvillimin e një kulture financiare më të avancuar në Republikën e Kosovës.
BQK-ja vlerëson se, në mbështetje të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend, investimi në edukimin financiar është një investim afatgjatë në fuqizimin e qytetarëve, mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e përfshirjes financiare dhe forcimin e besimit në sistemin financiar.
Bashkëpunimi në fushën e edukimit financiar është pjesë e marrëdhënieve të mira institucionale ndërmjet BQK-së dhe Banque de France, të cilat përfshijnë bashkëpunimin ndërmjet dy bankave qendrore edhe në fusha të tjera të rëndësishme, përfshirë menaxhimin e rezervave dhe aseteve ndërkombëtare, si dhe shkëmbimin e ekspertizës profesionale në fusha me interes të përbashkët.
