KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Banka Botërore: Reformat mund të tërheqin 1.5 miliardë dollarë dhe të krijojnë 87 mijë vende pune në Kosovë

Banka Botërore: Reformat mund të tërheqin 1.5 miliardë dollarë dhe të krijojnë 87 mijë vende pune në Kosovë

Kosova mund të mobilizojë deri në 1.5 miliardë dollarë investime private dhe të krijojë deri në 87 mijë vende të reja pune gjatë pesë deri në dhjetë vjetëve të ardhshëm, nëse ndërmerren reforma të synuara në tri fusha të ekonomisë.

Kështu thuhet në një raport të ri të Grupit të Bankës Botërore, i cili vlerëson potencialin e sektorit privat në Kosovë dhe identifikon pengesat që vazhdojnë të kufizojnë investimet dhe krijimin e vendeve të punës me paga më të larta.

Sipas raportit, prodhimi i energjisë diellore dhe asaj me erë, shërbimet e biznesit dhe prodhimi i komponentëve për ndërtim janë tri fushat me potencialin më të madh për të tërhequr investime private dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Banka Botërore vlerëson se Kosova ka përparësi të rëndësishme për investitorët privatë, por barrierat rregullatore dhe pengesat në funksionimin e tregut vazhdojnë të kufizojnë shfrytëzimin e këtij potenciali.

“Për të krijuar vende pune, për të gjeneruar të ardhura vendore dhe për të nxitur rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë e pashfrytëzuara për investime private dhe të heqë barrierat për to”, ka deklaruar Carole Megevand, menaxhere e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Ajo ka theksuar se raporti synon të ndihmojë Kosovën t’u japë përparësi reformave që mund të kenë ndikimin më të madh në zhvillimin e sektorit privat.

Energjia e ripërtëritshme, potencial për 1 miliard dollarë investime

Një nga fushat kryesore të identifikuara në raport është prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Kosova synon që deri në vitin 2031, burimet e ripërtëritshme të përbëjnë 63 për qind të kapacitetit të instaluar për prodhimin e energjisë elektrike, krahasuar me 23 për qind në vitin 2024.

Për arritjen e këtij objektivi, Banka Botërore vlerëson se nevojitet më shumë siguri për investitorët, veçanërisht sa i përket blerjes së energjisë elektrike që ata prodhojnë.

Ndër masat e rekomanduara janë përcaktimi i një kalendari shumëvjeçar të ankandeve dhe operacionalizimi i garancive të likuiditetit për operatorin e sistemit të transmisionit, KOSTT, në kuadër të mekanizmit mbështetës për energjinë e ripërtëritshme.

Sipas raportit, reformat në këtë sektor mund të mobilizojnë deri në vitin 2035 rreth një miliard dollarë investime private dhe të krijojnë afërsisht 8,300 vende pune. Gjithashtu, ato mund të kontribuojnë në uljen e emetimeve të gazrave serrë në një nivel ekuivalent me rreth 24 për qind të emetimeve vjetore të CO₂ në Kosovë.

Shërbimet e biznesit mund të krijojnë deri në 46 mijë vende pune

Sektori i shërbimeve të biznesit është zgjeruar gjatë dekadës së fundit, i nxitur nga kërkesa në rritje në Evropë për shërbime të kontraktuara nga jashtë (outsourcing) dhe shërbime digjitale.

Banka Botërore vlerëson se fuqia punëtore e re, kostot konkurruese dhe cilësia e shërbimeve i japin Kosovës përparësi në këtë fushë. Sektori konsiderohet me potencial për të krijuar vende pune me paga më të larta, por zgjerimi i tij pengohet nga rregullativa e punës, mungesa e aftësive profesionale, barrierat e tjera rregullatore dhe furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike.

Raporti rekomandon përcaktimin e kërkesave të qarta për kontratat e punës në distancë dhe ato hibride, standardizimin e procedurave të inspektimit të punës dhe njohjen ligjore të nënshkrimeve elektronike në kontratat private komerciale.

Zbatimi i këtyre reformave mund të tërheqë nga 68 deri në 177 milionë dollarë investime të reja dhe të krijojë 32 mijë deri në 46 mijë vende pune.

Prodhimi për ndërtim, deri në 296 milionë dollarë investime

Potencial të konsiderueshëm paraqet edhe prodhimi i komponentëve për ndërtim, i cili mund të përfitojë nga kërkesa e brendshme për ndërtim dhe interesimi në rritje në tregjet evropiane për produkte me efikasitet më të lartë energjetik.

Megjithatë, sipas raportit, sektori përballet me një sërë pengesash, përfshirë qasjen e pasigurt dhe të kushtueshme në energji elektrike, paqartësitë në tregun e tokës, procedurat e ndërlikuara për leje ndërtimi, mungesën e aftësive të përshtatshme profesionale, qasjen e kufizuar në kapital qarkullues dhe zbatimin e dobët të standardeve të produkteve.

Banka Botërore vlerëson se adresimi i këtyre problemeve mund të mobilizojë nga 187 deri në 296 milionë dollarë investime private dhe të krijojë nga 21 mijë deri në 33 mijë vende pune. Këto reforma do të mund të ndihmonin gjithashtu në rritjen e eksporteve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet prodhimit dhe sektorit të ndërtimit.

Ndër rekomandimet kryesore janë krijimi i një mekanizmi të përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi për qëllime industriale, përfshirja e trajnimeve praktike në programet e arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe kalimi në inspektime të produkteve të ndërtimit të bazuara në vlerësimin e rrezikut.

Banka Botërore ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën me ekspertizë, financim dhe njohuri për zgjerimin e investimeve private dhe krijimin e vendeve cilësore të punës.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.