Një baba dhe djali i tij janë dënuar me burgim në Britani të Madhe, pasi u kapën duke kontrabanduar mbi 50 kilogramë kanabis nga Tajlanda.
Alec Peter Chadwick, 39 vjeç, dhe djali i tij Riley Peter Emerson-Chadwick, 20 vjeç, u arrestuan më 15 korrik nga zyrtarët e kufirit në aeroportin Heathrow, pasi kishin mbërritur me një fluturim nga Bangkoku.
Gjatë kontrollit të bagazheve, autoritetet zbuluan 33.5 kilogramë kanabis në valixhen e djalit dhe 16.75 kilogramë në atë të babait.
Sasia e përgjithshme prej 50.25 kilogramësh kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 500 mijë paundësh.
Të dy pranuan fajësinë për kontrabandën e drogës në Gjykatën e Magjistraturës në Wimbledon, ditën e arrestimit, raporton 'Not Guilty TV', transmeton Klankosova.tv
Më 24 nëntor, Gjykata i dënoi me burgim. Babai u dënua me dy vjet e tetë muaj burg, ndërsa djali me dy vjet.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), numri i personave të kapur duke transportuar kanabis me aeroplan drejt Britanisë është rritur ndjeshëm. /Klankosova.tv

