Punimet e papërfunduara të kolektorit të kanalizimit në rrugën “Rexhep Krasniqi” në lagjen “Kalabria” kanë shndërruar këtë zonë të banuar në një vatër të hapur infeksioni dhe rrezik serioz për shëndetin publik. Kështu konstaton raporti zyrtar i Institucionit të Avokatit të Popullit, i publikuar më 29 tetor 2026 dhe i adresuar drejtpërdrejt te kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, raporton Telegrafi.
Në këtë dokument, Avokati i Popullit vlerëson se vazhdimi i kësaj gjendjeje përbën cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave kushtetuese të banorëve për respektimin e jetës private, familjare dhe të banesës, si dhe bie ndesh me detyrimet ligjore të Komunës për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
Gjetjet e IKShPK-së dhe alarmi për shëndetin e qytetarëve
Hetimi i Avokatit të Popullit ka nisur në gusht të këtij viti pas ankesës së një banoreje të lagjes, e mbështetur edhe nga 17 banorë të tjerë. Sipas dokumentacionit, projekti i kolektorit kishte nisur rreth dy vjet më parë, por punimet janë pezulluar për shkak të ngecjes në procedurat e shpronësimitPër të verifikuar nivelin e ndotjes, me kërkesë të IAP-së, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) realizoi dy kontrolle në terren në shtator 2026. Raporti i IKShPK-së konstaton një gjendje të rënduar mjedisore:
Kanali i kolektorit është plotësisht i zbuluar dhe shërben si pikë shkarkimi direkt për ujërat e zeza të objekteve banesore përreth.
Në zonë janë grumbulluar mbeturina urbane dhe mbetje të ngurta që bllokojnë rrjedhën e ujit, ndërsa evidentohet prani masive e brejtësve, mushkonjave, sorrave, qenve endacakë dhe shpendëve të ngordhur.
Si pasojë e erës së padurueshme dhe ndotjes, banorët nuk mund t’i shfrytëzojnë oborret e tyre dhe as t’i hapin dritaret e shtëpive, ndërsa janë raportuar edhe raste të problemeve shëndetësore që kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Ekspozimi i drejtpërdrejtë prek edhe grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët nën moshën pesë vjeç, personat mbi 65 vjeç dhe qytetarët me sëmundje kronike.
Problem i përsëritur dhe reagimi politik
Avokati i Popullit rikujton se kjo situatë nuk është e re, pasi për të njëjtin lokacion kishte nxjerrë një raport me rekomandime edhe më 21 tetor 2024. Sipas vlerësimit ligjor, fakti që problemi nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dy vjet pas paralajmërimeve të para, dëshmon se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve ka mbetur vetëm formale.
Lidhur me gjetjet e raportit ka reaguar edhe shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar llogari nga kryetari Përparim Rama, shkruar Telegrafi.
“Përparim Rama ishte paralajmëruar për këtë problem që në vitin 2024. Sot, dy vjet më vonë, Avokati i Popullit konstaton se vazhdimi i kësaj gjendjeje cenon të drejtat kushtetuese të banorëve dhe nuk përputhet me detyrimet e Komunës”, ka shkruar Sveçla, duke shtuar se kryetari duhet t’u përgjigjet qytetarëve se pse një problem i njohur vazhdon t’u rrezikojë jetesën.
Rekomandimet dhe afati ligjor për Komunën
Duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), Avokati i Popullit i ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë urgjentisht këto masa:
Të pastrojë shtratin e lumit dhe hapësirat përreth nga mbetjet e grumbulluara.
Të realizojë dezinfektimin, deratizimin dhe dezinsektimin e gjithë zonës përgjatë rrugës “Rexhep Krasniqi”.
Të identifikojë dhe të mbyllë kyçjet ilegale dhe derdhjet e pakontrolluara të ujërave të zeza.
Të izolojë fizikisht zonën e punimeve për të garantuar sigurinë e kalimtarëve, veçanërisht të fëmijëve.
Të përfundojë me procedurë të përshpejtuar punimet e ndërprera të kolektorit dhe t’i informojë banorët për afatet e realizimit.
Në përputhje me ligjin, Komuna e Prishtinës ka afat prej tridhjetë (30) ditësh që ta njoftojë zyrtarisht Avokatin e Popullit për hapat konkretë të ndërmarrë lidhur me zbatimin e këtyre rekomandimeve. /Telegrafi/

