KORREKT / SOT13 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

ATRC dhe Banka Botërore përmbyllin projektin për regjistrimin dhe të drejtat pronësore të grave në Kosovë, kryeministri Kurti i vlerëson lart të arriturat

ATRC dhe Banka Botërore përmbyllin projektin për regjistrimin dhe të drejtat pronësore të grave në Kosovë, kryeministri Kurti i vlerëson lart të arriturat

ATRC dhe Banka Botërore kanë mbajtur ngjarjen përmbyllëse të projektit PIAKOS, duke prezantuar rezultatet e një angazhimi gjithëpërfshirës për rritjen e informimit të qytetarëve për të drejtat pronësore, lehtësimin e qasjes në ndihmë juridike falas dhe mbështetjen e regjistrimit të pronës, me fokus të veçantë te gratë, të rinjtë dhe grupet e cenueshme në Kosovë.

Përmes aktiviteteve të zhvilluara në mbarë Kosovën, projekti ka arritur drejtpërdrejt mbi 7,000 familje, ndërsa më shumë se 2,000 familje kanë përfituar ndihmë juridike falas. Aktivitetet kanë përfshirë gjithashtu mbi 5,000 të rinj, ndërsa projekti ka punuar me 157 shkolla publike dhe private për të rritur ndërgjegjësimin e brezave të rinj për të drejtat pronësore dhe barazinë gjinore në trashëgimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e të drejtës së pronës dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike e shoqërisë civile. Ai ka thënë se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike, mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve.

“Është kënaqësi e veçantë të jem bashkë me ju këtu sot në përmbylljen e projektit PIAKOS, një nismë e cila ka vënë në pah rëndësinë e të drejtës së pronës, e cila, si e tillë, nuk duhet të mbetet vetëm garanci në letër, por të jetohet e të zbatohet, të jetohet për secilin qytetar pa dallim. Natyrisht, kjo tematikë është e lidhur ngushtë edhe me dikasterin tonë qeveritar, përkatësisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por besoj se kemi bërë mirë që në këtë mandat e kemi ndarë nga infrastruktura dhe transporti, dhe në këtë mënyrë çështja e pronës, kadastrit dhe banimit, që kanë në bosht zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë sociale dhe programin tonë qeveritar, merr vëmendje më të posaçme. Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje. Banesa është e drejtë e njeriut dhe nuk mund të kuptohet jeta cilësore pa banim të sigurt”, tha Kurti.

Zëvendësdrejtoresha e Bankës Botërore për Kosovën, Jane Millicent Sprouster, tha se PIAKOS ka treguar rezultatet që mund të arrihen përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

“PIAKOS ka demonstruar se çfarë mund të arrihet kur institucionet publike dhe shoqëria civile punojnë së bashku. Rreth 7,000 familje janë arritur përmes fushatës derë më derë, mbi 5,000 të rinj kanë mësuar për të drejtat e tyre pronësore dhe 2,000 familje kanë marrë ndihmë juridike,” tha Sprouster.

Ajo theksoi se 23 organizata të shoqërisë civile kanë qenë pjesë e aktiviteteve në mbarë Kosovën, duke ofruar informim, mbështetje juridike dhe udhëzime praktike për qytetarët. Sipas saj, PIAKOS është pjesë e partneritetit afatgjatë të Bankës Botërore me sektorin e tokës në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, tha se projekti është fokusuar në kthimin e pengesave të identifikuara në zgjidhje konkrete për qytetarët, veçanërisht për gratë, të rinjtë dhe familjet që kanë vështirësi në realizimin e të drejtave pronësore në Kosovë.

“Kur flasim për të drejtat pronësore, nuk flasim vetëm për dokumente apo parcela. Flasim për sigurinë e familjes, pavarësinë ekonomike të grave, mundësitë për fëmijët dhe, mbi të gjitha, për dinjitet dhe barazi. Ne nuk kemi pritur që qytetarët të vijnë te institucionet, por kemi shkuar te ata për t’i informuar dhe mbështetur,” tha Kaloshi.

Menaxherja e projektit PIAKOS në ATRC, Odeta Naks, prezantoi rezultatet konkrete të projektit, duke bërë të ditur se aktivitetet janë zhvilluar në 38 komuna të Kosovës, përfshirë komunat me shumicë serbe.

Sipas saj, projekti ka realizuar rreth 1,800 aktivitete informuese, ndërsa ndihma juridike falas është ofruar për mbi 2,000 familje. Si rezultat i mbështetjes për formalizimin e të drejtave pronësore, më shumë se 300 pronarë të rinj janë regjistruar në kadastër si pronarë apo bashkëpronarë, prej tyre 120 gra.

“Kemi arritur mbi 7,000 familje dhe kemi ofruar ndihmë juridike falas për më shumë se 2,000 prej tyre. Një rezultat veçanërisht i rëndësishëm është se mbi 300 pronarë të rinj janë shtuar në kadastër, përfshirë 120 gra,” tha Naks.

Ajo theksoi se puna me të rinjtë ka qenë një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit. Në 157 shkolla publike dhe private janë zhvilluar debate dhe aktivitete për të informuar nxënësit mbi të drejtat pronësore, trashëgiminë dhe rëndësinë e rregullimit të dokumentacionit pronësor.

Në konferencën përmbyllëse të PIAKOS kanë folur për bashkëpunimin dhe të arriturat e projektit edhe Afërdita Thaci, Drejtoreshë Ekzekutive në detyrë e Agjencisë Kadastrale të Kosovës; Afërdita Beka, Drejtoreshë Ekzekutive e Agjencisë Kosovare për Krahasimin dhe Verikimin e Pronës dhe Faton Jashari, Drejtor Ekzekutiv në detyrë i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

Përmes PIAKOS-it, organizatat e shoqërisë civile, institucionet dhe partnerët kanë kombinuar fushatat derë më derë, aktivitetet me të rinjtë, ndihmën juridike falas, trajnimet profesionale dhe komunikimin publik, me synimin që qytetarët të kenë më shumë informacion dhe mbështetje konkrete për realizimin e të drejtave të tyre pronësore.

PIAKOS ka vendosur fokus të veçantë te gratë dhe komunitetet e cenueshme, duke synuar që regjistrimi dhe formalizimi i pronës të kontribuojë jo vetëm në sigurinë juridike, por edhe në fuqizimin ekonomik dhe barazinë sociale.

Projekti është mbështetur nga Banka Botërore dhe Fondi për Shtendërtim dhe Paqe (SPF) në vlerën 3.2 USD dhe ka zgjatur 3 vjet.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.