Siguria e qytetarëve rusë në rajonin e shkëputur moldav të Transdniestrias aktualisht është e rrezikuar, ndërsa Moska do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’i mbrojtur ata, ka deklaruar sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu.
Në këtë formë ishte arsyetuar presidenti rus, Vladimir Putin me rastin e nisjes së pushtimit të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 202..
Transdniestria pro-ruse u nda nga Moldavia para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dhe pas një lufte të shkurtër në vitin 1992, për më shumë se tre dekada bashkëjeton me këtë shtet post-sovjetik. Autoritetet pro-evropiane në Moldavi muajt e fundit po rrisin presionin mbi këtë rajon separatist.
Në takimin e javës së kaluar nuk u arrit asnjë përparim, shkruan Reuters.
Shoigu në një intervistë për gazetën ruse, Komsomolskaja Pravda deklaroi se Rusia është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur qytetarët e saj në këtë brez të ngushtë territori pranë kufirit me Ukrainën.
“Nuk duhet harruar se në Transdniestria jetojnë më shumë se 220 mijë qytetarë rusë. Interesat dhe siguria e tyre tani janë të rrezikuara për shkak të hapave të pamenduar dhe të papërgjegjshëm të Kievit dhe Kishinjevit”, tha ai.
“Nëse është e nevojshme, Rusia do të ndërmarrë të gjitha hapat dhe do të përdorë të gjitha metodat e disponueshme për t’i mbrojtur ata në përputhje me kushtetutën. Nuk duhet përjashtuar asnjë opsion, po shqyrtojmë të gjitha skenarët e mundshëm, madje edhe ata më pak të mundshëm”, shtoi Shoigu.
Ai theksoi se Moska shpreson që situata “të mos zhvillohet drejt skenarit më të keq”.
Ndërmjetësuesit e Moldavisë dhe Transdniestrias javën e kaluar nuk arritën asnjë përparim në takimin e fundit që kishte për qëllim afrimin e një zgjidhjeje të konfliktit separatist.
Presidentja moldave Maia Sandu dëshiron që deri në vitin 2030 ta fusë vendin e saj, një nga më të varfrit në Evropë, në Bashkimin Evropian dhe pohon se kjo është e mundur edhe pa zgjidhjen e çështjes së Transdniestrias.
Transdniestria kundërshton vendimin e Moldavisë për të ndaluar hyrjen e komandantëve të kontingjentit rus prej rreth 1500 “paqeruajtësish”, të cilët i ndajnë dy palët që nga viti 1992. Po ashtu ajo refuzon planin e qeverisë në Kishinjev për vendosjen e doganave dhe tatimit mbi vlerën e shtuar në atë territor. /Telegrafi/