Arsenali ka nisur të kërkojë alternativa për Vinicius Jr., pasi ylli brazilian ka rinovuar kontratën e tij gjashtëvjeçare me Real Madridin, dhe duket se klubi londinez tashmë e ka një objektiv të ri në listë.
“Topçinjtë” janë të vendosur të bëjnë një goditje të madhe në javët e fundit të merkatos, teksa përgatiten për të mbrojtur titullin e Ligës Premier.
Deri tani, vera e Arsenalit ka qenë relativisht e qetë. Në muajin qershor, klubi përfundoi transferimin prej 34.5 milionë funtesh të Piero Hincapies, i cili sezonin 2025/26 e kaloi si i huazuar te Arsenali nga Bayer Leverkusen.
Një javë më vonë, ish-portieri i Leeds United, Illan Meslier, iu bashkua klubit londinez si transferim i lirë.
Së fundmi, Arsenali siguroi shërbimet e anësorit grek me shumë vlerësim, Christos Tzolis, nga Club Brugge për rreth 34 milionë euro, ndërsa Bruno Guimaraes duket se është pranë transferimit në “Emirates Stadium” për një shumë prej 75 milionë eurosh.
Trajneri Mikel Arteta dëshiron gjithashtu të përforcojë repartin ofensiv. Siç është raportuar më herët, Vinicius Jr ishte një nga objektivat e Arsenalit, por braziliani vendosi të vazhdojë aventurën e tij te Real Madridi pas javësh spekulimesh.
Tani pyetja është: kush do të jetë objektivi i radhës i Arsenalit?
Londinezët kanë monitoruar situatën e Julian Alvarez dhe Bradley Barcola, i cili gjithashtu është lidhur fuqishëm me një transferim te Liverpooli.
Ndërkohë, është zbuluar se drejtuesit e Arsenalit kanë një pëlqim të madh për sulmuesin e Evertonit, Iliman Ndiaye. Madje, sipas gazetarit Ben Jacobs, klubi londinez ka bërë edhe një kërkesë për informacion rreth situatës së lojtarit.
“Kam dëgjuar së fundmi se Iliman Ndiaye është një lojtar që Arsenali e pëlqen shumë. Ai ka refuzuar për momentin një ofertë për rinovim nga Evertoni dhe Al Hilal po punon për ta transferuar, ndoshta mund ta realizojnë, por Arsenali është një nga klubet që ka bërë një kërkesë për të”, ka thënë Jacobs./Telegrafi/
