Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të kërkuar për kanosje dhe ka konfiskuar një armë zjarri në fshatin Dubravë të Kaçanikut.
Rasti ka ndodhur më 14 shtator 2026, rreth orës 19:30, kur policia ka realizuar një plan operativ për kapjen e personit të kërkuar. Në operacion kanë marrë pjesë zyrtarë policorë nga Kaçaniku dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë.
Gjatë operacionit është arrestuar V.Q., 34 vjeç.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë e gjuetisë, së bashku me tre fishekë.
Sipas policisë, arma dyshohet se ka lidhje me një video-incizim të siguruar në kuadër të një rasti të mëhershëm të kanosjes.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore. /Telegrafi/