Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona që ishin në kërkim lidhur me plagosjen me armë zjarri që ndodhi në orët e para të 28 korrikut në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku mbeti i plagosur një person.
Sipas njoftimit të Policisë, pas një pune intensive hetimore, zyrtarët e Sektorit të Hetimeve të Kryeqytetit kanë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Të arrestuarit janë A.K., 36 vjeç, dhe A.Xh., 36 vjeç.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndryshe, të shtënat me armë zjarri ndodhën rreth orës 02:00 në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.
Si pasojë, një person mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa policia kishte nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. /Telegrafi/
