Kombëtarja e Argjentinës ka vazhduar formën e shkëlqyer, duke triumfuar 2:0 ndaj Hondurasit në ndeshjen miqësore të zhvilluar në College Station të Teksasit, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.
“Albicelestët” luajtën pa kapitenin Lionel Messi, i cili u kursye për shkak të një shqetësimi fizik, por kjo nuk e pengoi skuadrën e Lionel Scalonit të dominonte takimin nga fillimi deri në fund.
Goli i parë erdhi në minutën e 37-të, kur Lautaro Martinez u tregua i saktë nga pika e bardhë, ndërsa në pjesën e dytë sulmuesi i Interit u shndërrua në asistues, duke i dhuruar një pasim të bukur Giuliano Simeones, i cili vulosi fitoren 2:0.
– YouTube www.youtube.com
Për kampionët në fuqi të botës, kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në ndeshjet përgatitore para Botërorit. Pas përfundimit të kualifikimeve, Argjentina ka mposhtur Venezuelën (1:0), Porto Rikon (6:0), Angolën (2:0), Mauritaninë (2:1), Zambian (5:0) dhe tani Hondurasin (2:0), duke pësuar vetëm një gol në këto gjashtë takime.
Skuadra e Scalonit do të zhvillojë edhe një miqësore tjetër ndaj Islandës, para se të nisë mbrojtjen e titullit në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/
