Arbër Hajdari ka reaguar pas deklaratave të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili e përmendi emrin e tij si një prej personave të përzgjedhur nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje, duke i cilësuar deklaratat e Veliajt si thashetheme dhe fantazi.
Ai ka thënë se nuk ka lidhje me atë që e përshkroi si histori penale-politike, ndërsa ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë ambicie për t’u emëruar në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!
Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, ka shkruar Hajdari.
Ai ka shtuar se fundjavat vazhdon t’i kalojë pranë njerëzve në nevojë, ndërsa e ka mbyllur reagimin me një mesazh ironik, duke theksuar se nuk është pjesë e zhvillimeve politike për të cilat është përmendur.
“Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota.
Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”, ka përfunduar ai./Telegrafi.

