Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar tri vendime të rëndësishme që Qeveria do t’i marrë në sektorin e energjisë, me qëllim të përballjes me situatën e krijuar nga bllokimi i linjave ndërkufitare për tregtimin e energjisë elektrike.
Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, bëri të ditur se si masë të parë do të ndalohet tregtimi i energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare nga Serbia.
Lidhur me këtë, në një përgjigje për Indeksonline, Arben Mustafa nga PDK-ja ka thënë se miliona euro të qytetarëve të Kosovës kanë përfunduar në Serbi.
“Për të gjithë ata që mohonin se Kosova po blen energji elektrike nga Serbia, sot vetë Qeveria e Kosovës dëshmoi se PO. Pra, ishte e vërtetë se miliona euro të qytetarëve të Kosovës kanë përfunduar në Serbi. Tash kanë vendosur ta ndalin këtë praktikë, të cilën deri dje e mohonin se ekzistonte”, ka thënë Mustafa për Indeksonline.
Sipas tij, ky vendim nuk e amniston Qeverinë nga përgjegjësia për t’u dhënë qytetarëve përgjigje për pyetjet që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
Mustafa thekson se qytetarët nuk duhet të mbeten pa përgjigje për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin me energji elektrike dhe në buxhetin e familjeve të tyre.
Madje, deputeti i PDK-së ka disa pyetje për Qeverinë dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me situatën energjetike:
- A do të ketë reduktime të energjisë elektrike dhe sa të gjata do të jenë ato?
- A do të shtrenjtohet edhe më shumë energjia elektrike?
- Cili është plani konkret i Qeverisë për ta përballuar dimrin, kur as kapacitetet ekzistuese prodhuese të KEK-ut nuk janë në dispozicion me kapacitet të plotë?/Indeksonline/

