Amedspor është befasia e këndshme e këtij fillimi të sezonit në Superligën e Turqisë, me skuadrën nga Diyarbakıri që ka befasuar me rezultatet e saj në pesë javët e para të kampionatit. Ekipi i drejtuar nga Besnik Hasi ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, duke grumbulluar pikë të mjaftueshme për të qëndruar në pjesën e sipërme të tabelës, në pozitën e tretë.
Klubi nga Diyarbakıri, në juglindje të Turqisë, këtë sezon po përjeton një moment historik, pasi për herë të parë po garon në elitën e futbollit turk. Megjithatë, debutimi nuk ka qenë aspak i frikshëm për Amedsporin, i cili që në javët e para ka treguar se nuk ka ardhur në Superligë vetëm për të qenë pjesë e saj, por për të konkurruar denjësisht edhe me skuadrat më të mëdha.
Në krye të këtij projekti qëndron Besnik Hasi, trajneri nga Gjakova, i cili ka një përvojë të gjatë në futbollin evropian dhe ndërkombëtar. Hasi ka drejtuar më herët skuadra si Anderlecht, Legia Varshava, Olympiacos, Al-Raed, Al-Ahli dhe Mechelen, ndërsa aventura me Amedsporin përfaqëson për të një sfidë të re, pasi është hera e parë që punon në futbollin turk.
Besnik Hasi, trajner i Amedspor
Por suksesit të skuadrës i kanë dhënë kontribut të rëndësishëm edhe dy futbollistë të Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi.
Të dy kanë qenë titullarë në të pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani dhe janë shndërruar në pjesë të rëndësishme të formacionit të Hasit.
Lumbardh Dellova, mbrojtësi i Amedspor telegrafi.com
Dellova ka zhvilluar gjithsej 450 minuta, duke regjistruar edhe një asistim, ndërsa Krasniqi ka luajtur 439 minuta, pra i kanë munguar vetëm 11 minuta për të kompletuar të gjitha minutat e mundshme.
Sulmuesi i Kosovës ka kontribuar deri tani me dy asistime, duke treguar se nuk është vetëm një lojtar i rëndësishëm në aspektin ofensiv, por edhe në krijimin e rasteve për shokët e skuadrës.
Ermal Krasniqi, lojtar i Amedspor
Pikërisht ky kombinim mes përvojës së Hasit dhe kontributit të futbollistëve të tij po e bën Amedsporin një prej tregimeve më interesante të fillimit të sezonit në Turqi. Skuadra ka treguar organizim, disiplinë dhe karakter, ndërsa fitorja e fundit ndaj Başakşehirit ishte dëshmia më e mirë e formës së mirë në të cilën ndodhet ekipi. Aktualisht janë të tretit me 13 pikë.
Pas atij triumfi, Hasi nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e lojtarëve, duke e cilësuar suksesin si një fitore shumë të madhe.
“Për ne është një fitore shumë e madhe. Nuk i lejuam ata të luanin. Ishte një ekip shumë i lëvizshëm, sepse ne i ndalëm. E përgëzoj ekipin tim, morëm një fitore të shkëlqyer”, deklaroi Hasi pas ndeshjes.
Trajneri shqiptar vlerësoi edhe progresin e lojtarëve të tij, duke përmendur në veçanti sulmuesin Gift Orban, ndërsa theksoi se skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje.
Por, pavarësisht fillimit fantastik dhe pozitës së tretë në tabelë, Hasi nuk dëshiron që skuadra e tij të përfshihet nga euforia. Ai e di se rruga në Superligën turke është e gjatë dhe se një seri e mirë rezultatesh nuk duhet të krijojë rehati.
“Lojtarët tanë po rriten dhe po vazhdojnë të zhvillohen. Më pas e shijuam shumë këtë ndeshje. Por kjo është vetëm një ndeshje, liga sapo ka filluar. Duhet të jemi modestë, t’i mbajmë këmbët në tokë dhe të punojmë shumë”, u shpreh trajneri i Amedspor.
Dhe pikërisht kjo është filozofia që po e karakterizon fillimin e aventurës së Hasit në Turqi: të shijojë suksesin, por të mos lejojë që ai të kthehet në eufori.
Për legjendën e futbollit shqiptar nga Gjakova, aventura turke deri tani po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme. Përkrah tij, dy lojtarë të Kombëtares së Kosovës po luajnë role të rëndësishme në këtë histori.
Nëse Amedspor vazhdon me të njëjtin ritëm, kjo skuadër mund të jetë një prej tregimeve më interesante të këtij sezoni në futbollin turk. /Telegrafi/