Action for Mothers and Children (AMC) mblodhi sot pacientë dhe përfaqësues të organizatave që punojnë në fushën e sëmundjeve kronike jongjitëse (SKJN) në një tryezë diskutimi të fokusuar në fuqizimin e zërave të pacientëve dhe rolit të tyre në avokim dhe bashkë-vendimmarrjen për politikat shëndetësore në Kosovë.
Drejtorja Ekzekutive e AMC-së, znj. Rina Demiri Spahija, potencoi rëndësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë dhe të pavarur të zërit të pacientëve, në mënyrë që personat që jetojnë me sëmundje kronike jo-ngjitëse të përfshihen si partnerë aktivë dhe të barabartë në proceset që ndikojnë në shëndetin dhe kujdesin e tyre.
Foto: Action for Mothers and Children
Pjesëmarrësit nga organizatat që përfaqësojnë persona që jetojnë me diabet, hipertension, kancer, sëmundje të mushkërive, sëmundje të tjera kronike, si dhe të moshuarit, ndanë sfidat me të cilat përballen në përditshmëri. Ata theksuan se fuqizimi i pacientëve duhet të reflektohet edhe në përfshirjen e tyre në hartimin e politikave dhe programeve kombëtare për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse.
Ndër prioritetet e identifikuara gjatë tryezës së diskutimit ishte shqyrtimi i mundësisë për krijimin e një mekanizmi të përbashkët avokues ndërmjet organizatave që veprojnë në fushën e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, me synim forcimin e përgjigjes së Kosovës ndaj këtyre sëmundjeve. Ky mekanizëm do të mund të shërbente si platformë për bashkërendimin e përpjekjeve të organizatave të shoqërisë civile, krijimin e një zëri të përbashkët dhe avancimin e agjendës kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse.
Ngjarja u organizua në kuadër të Javës Globale për Veprim ndaj Sëmundjeve Kronike Jo-Ngjitëse 2026, një fushatë globale që këtë vit i kushton vëmendje të veçantë lidershipit dhe nevojës për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete, investime, llogaridhënie dhe progres të matshëm.
Fushata thekson rëndësinë e lidershipit në çdo nivel, nga institucionet qeveritare te komunitetet dhe personat me përvojë të drejtpërdrejtë me këto sëmundje, në adresimin e SKJN-ve, të cilat janë shkaktari kryesor i vdekjeve dhe aftësisë së kufizuar në mbarë botën.
Në Kosovë, nevoja për veprim më të fuqishëm po bëhet gjithnjë e më madhe. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë vitit 2024 u raportuan 43,539 raste të sëmundjeve jo-ngjitëse, krahasuar me 41,258 raste në vitin 2023, që përbën një rritje prej 5.5%.
Hipertensioni dhe diabeti janë ndër diagnozat më të shpeshta të sëmundjeve kronike jo-ngjitëse të raportuara, ndërsa sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe kanceri gjithashtu përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të barrës së këtyre sëmundjeve në vend.
Zvogëlimi i barrës së këtyre sëmundjeve kërkon parandalim më të fuqishëm dhe zbulim më të hershëm, qasje në kujdes shëndetësor cilësor, si dhe fuqizimin e pacientëve përmes përfshirjes së tyre kuptimplotë në vendimet që ndikojnë në shëndetin dhe kujdesin e tyre.
Aktivitetet e AMC-së realizohen në kuadër të iniciativës “Non-Communicable Diseases (NCD) Patient Engagement Accelerator”, mbështetur nga projekti Integrated Health Services (IHS).