Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, ka organizuar një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë qendrore dhe vendore, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, trupit diplomatik dhe medias.
Në këtë aktivitet, marrëdhëniet e ngushta mes Zvicrës dhe Shqipërisë u vlerësuan si të shkëlqyera, ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, mbajti një fjalim për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ambasadorja Huber theksoi se marrëdhëniet dypalëshe mes Zvicrës dhe Shqipërisë janë të forta dhe në zhvillim të vazhdueshëm.
“Sot, marrëdhëniet tona dypalëshe janë të forta dhe vazhdojnë të rriten. Kjo në vetvete është një arsye për të festuar. Përmes programit tonë të bashkëpunimit, Zvicra ka shoqëruar transformimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për më shumë se tre dekada”, tha Huber.
Ajo shtoi se Zvicra e vlerëson progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe angazhimin e saj për integrimin evropian.
Ndërkaq, ministri Ferit Hoxha vlerësoi veçoritë e Zvicrës, duke veçuar diversitetin, bashkëjetesën mes grupeve të ndryshme dhe aftësinë për të respektuar dallimet dhe për të arritur kompromise.
“Shqipëria dhe Zvicra ndajnë një miqësi dhe marrëdhënie të gjatë të ndërtuar mbi besimin dhe respektin e ndërsjellë. Zvicra ka qenë një partner i vlefshëm i Shqipërisë për shumë vite, duke mbështetur transformimin tonë demokratik. Dhe po, bashkëpunimi zviceran ka lënë një gjurmë të qëndrueshme në këtë vend. Jemi thellësisht mirënjohës”, deklaroi Hoxha.
Gjatë pritjes, ambasadorja Huber prezantoi edhe disa nga prioritetet e Programit të Bashkëpunimit Zviceran për periudhën 2026-2028, i cili synon të mbështesë qeverisjen gjithëpërfshirëse, zhvillimin ekonomik dhe shërbimet e besueshme të infrastrukturës në Shqipëri.
Kjo ishte pritja e fundit e Ditës Kombëtare të Zvicrës për ambasadoren Huber në Shqipëri, e cila pritet të përfundojë mandatin e saj në këtë vend.
“Shërbimi si Ambasadore këtu ka qenë si një privilegj profesional, po ashtu edhe një pasurim personal. Do të largohem me një ndjenjë të thellë dashurie për këtë vend dhe popullin e tij”, tha Huber, duke falënderuar partnerët shqiptarë për bashkëpunimin ndër vite.
Në kuadër të aktivitetit, të ftuarit patën mundësinë të shijonin produkte shqiptare të mbështetura përmes Programit të Bashkëpunimit Zviceran, si dhe ushqime tradicionale zvicerane, përfshirë raclette-n dhe ëmbëlsira zvicerane.
Dita Kombëtare e Zvicrës shënohet më 1 gusht, në përkujtim të Paktit të Rütli të vitit 1291, kur tre kantone zvicerane formuan aleancën që më vonë do të shndërrohej në Konfederatën Zvicerane.
