KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ambasadorët e BE-së vizitojnë veriun: Sundimi i ligjit të zbatohet njësoj në gjithë Kosovën

Ambasadorët e BE-së vizitojnë veriun: Sundimi i ligjit të zbatohet njësoj në gjithë Kosovën

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, zhvilluan të mërkurën një vizitë në Zveçan, ku u takuan me kryetarët e katër komunave veriore për të diskutuar mbi sfidat me të cilat po përballen në ushtrimin e mandateve të tyre pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian, gjatë takimit kryetarët e komunave paraqitën një sërë vështirësish që, sipas tyre, po ndikojnë në funksionimin e administratave lokale dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Mes sfidave të përmendura ishin mungesa e arkivave administrative, mungesa e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet që lidhen me pronat, si dhe ajo që ata e cilësuan si kontroll nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale.

Gjatë vizitës, diplomatët evropianë zhvilluan edhe takime të ndara me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe me anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare, për të dëgjuar edhe perspektivat e tyre lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Në reagimin e BE-së thuhet se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten të përkushtuara ndaj forcimit të vetëqeverisjes lokale dhe procesit të decentralizimit në Kosovë, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj një vetëqeverisjeje lokale të fortë në Kosovë dhe decentralizimit të mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, mbështetje efektive për komunat nga ministritë përkatëse dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet në komunikatë.

BE-ja thekson se administratat komunale funksionale dhe llogaridhënëse janë kyçe për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe për forcimin e besimit në institucione.

“Administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë në veri, janë në interes të publikut dhe thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit”, thuhet më tej në reagim.

Në përfundim, Bashkimi Evropian rithekson se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e reformave dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale.

“Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe donatori më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën”, përfundon njoftimi i Zyrës së BE-së.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.