Avokatja e njohur për të drejtat e njeriut u pa në Bregdetin e Kaltër me George Clooney, e veshur me një kombinim nga sfilata pranverë/verë 2026 e Pucci
Amal dhe George Clooney janë parë në Saint-Tropez më 7 maj, një ditë pas ditëlindjes së aktorit. Avokatja e njohur për të drejtat e njeriut u shfaq me një dukje sikur të kishte dalë drejtpërdrejt nga pasarela, duke tërhequr gjithë vëmendjen.
Amal Clooney u pa me bashkëshortin e saj, George Clooney, në Bregdetin e Kaltër, të enjten, një ditë pasi aktori mbushi 65 vjeç. Ajo kishte zgjedhur një kombinim nga sfilata pranverë/verë 2026 e Pucci.
Bluza e saj pa mëngë ishte e mbuluar me xixa në nuanca të kuqe, portokalli dhe të zeza, e kombinuar me një fund të zi shumë të shkurtër, me dy të çara në pjesën e përparme. Dukjen e kompletoi me çizme të sheshta të zeza, në të njëjtin stil.
Nga ana tjetër, George Clooney, i cili sapo kishte festuar ditëlindjen, dukej elegant me pantallona bezhë të stilit të lirshëm dhe bluzë polo të zezë, të kombinuara me mokasina dhe rrip në ngjyrë bezhë, transmeton Telegrafi.
Edhe pse ky kombinim i plotë nga pasarela mund të jetë një nga zgjedhjet më të guximshme që avokatja për të drejtat e njeriut ka veshur kohët e fundit, ajo së fundmi është parë shpesh me veshje të ngjashme që theksojnë këmbët.
Një nga dukjet e saj më të spikatura ishte javën e kaluar, kur në Chaplin Award Gala në New York, ku George u nderua me çmim, Amal veshi një fustan të purpurt nga Balenciaga, me supe të zbuluara.
Ndërsa pas Golden Globes në janar, ajo zgjodhi një krijim arkivor nga Versace për festën e Netflix, një fustan të guximshëm të punuar me zinxhirë dhe karfica sigurie. /Telegrafi/