Reperja amerikane Cardi B ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj të veçantë në mbrëmjen humanitare të këtij viti, Baby2Baby, e mbajtur në Los Angeles.
Ajo u shfaq e veshur me një fustan ngjyrë kremi, të dizajnuar nga stilistja Tamara Ralph, por ajo që mori vëmendjen më të madhe ishte një aksesor gjigant në kokë, i punuar me pupla të bardha, i cili pothuajse ia mbulonte tërësisht fytyrën, transmeton Indekosnline.
Ngjarja u mbajt të shtunën në Pacific Design Center, në West Hollywood. Cardi B nuk u mjaftua vetëm me parakalimin në tapetin e kuq, por edhe performoi para të pranishmëve.
Mbrëmja organizohet nga Baby2Baby, një organizatë bamirëse me bazë në Los Angeles, e cila ndihmon fëmijët që jetojnë në varfëri, duke u siguruar atyre gjërat më të domosdoshme.
Sipas revistës së modës WWD, reperja kishte zgjedhur një krijim nga koleksioni Haute Couture pranverë 2026 i stilistes Tamara Ralph.
Veshja e saj ishte pothuajse identike me atë të prezantuar në pasarelë, ndërsa Cardi B kishte shtuar vetëm një palë vathë të gjatë.
Fustani ngjyrë kremi kishte dekolte të thellë dhe një korse të artë të zbukuruar me gurë shkëlqyes. Pëlhura binte në pala të buta nga pjesa e ijeve dhe përfundonte me një bisht të gjatë.
Reperja kishte veshur gjithashtu doreza të bardha transparente deri te bërrylat, por aksesori me pupla të bardha në kokë ishte ai që tërhoqi më së shumti vëmendjen, pasi në shumicën e fotografive ia mbulonte sytë.
Paraqitja e Cardi B ka shkaktuar reagime të ndryshme në rrjetet sociale.
Derisa disa përdorues e kanë vlerësuar zgjedhjen e saj ekstravagante, të tjerë kanë bërë shaka me pamjen e reperes në platformën Reddit.
Sipas portalit Fashion Times, disa përdorues madje e kanë krahasuar atë me një “zog të verbër”./Indeksonline/

