Protesta “Jo në emrin tim” do të vazhdojë sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku është paraparë të mbahet nata e 13-të e kësaj nisme.
Programi do të hapet me “Betimin e Ushtarit”, të interpretuar nga veterani Bekim Juniku, i cili gjatë mbrëmjes do të ndajë edhe dëshminë e tij personale.
Në mesin e pjesëmarrësve që do të marrin fjalën është aktori Kushtrim Sheremeti, teksa do të flasin edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri dhe gazetarja nga Shqipëria, Denada Kola.
Gjatë mbrëmjes, në ekranin LED do të shfaqet videoja “Rrëfimi i ushtarit”.
Programi do të vijojë me një interpretim të Luan Jahirit kushtuar ‘Epopesë së Jezercit’ si dhe me një këngë ushtarake.
Një tjetër pjesë e aktivitetit do të jetë aksioni simbolik, “Një minutë heshtje për drejtësinë”.
Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Telegrafi/