Aktivistët e Ferizajt kanë njoftuar se sot, më 29 tetor, do të organizojnë protestë për Arlinda Zekajn dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale për rastet e dhunës ndaj grave.
Protesta do të nisë në orën 12:00 nga sheshi i Komunës së Ferizajt, ndërsa marshimi do të vazhdojë drejt Qendrës për Punë Sociale, Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës.
Përmes këtij organizimi, aktivistët synojnë të përcjellin kërkesa konkrete për institucionet përgjegjëse, duke kërkuar llogaridhënie për veprimet dhe mosveprimet institucionale, si dhe masa për parandalimin e tragjedive të ngjashme.
“Nuk mjafton të shprehim keqardhje pasi humbet një jetë gruaje. Duhet të kërkojmë llogari për dështimet, përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet, si dhe masa konkrete që tragjedi të tilla të mos përsëriten”, thuhet në njoftimin e aktivistëve.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet. /Telegrafi/

