Aknet hormonale nuk janë vetëm një problem i adoleshencës. Ato mund të shfaqen edhe në moshë të rritur, veçanërisht te gratë, dhe zakonisht lidhen me ndryshimet hormonale që ndikojnë në prodhimin e yndyrës së lëkurës.
Shpesh shfaqen rreth nofullës dhe faqeve dhe mund të shoqërohen me pika të zeza, pika të bardha, puçrra të dhimbshme, ciste dhe lëkurë të yndyrshme.
Një nga faktorët kryesorë janë androgjenet, hormone që mund të rrisin aktivitetin e gjëndrave dhjamore. Ndjeshmëria ndaj këtyre hormoneve ndryshon nga një person te tjetri dhe mund të ndryshojë edhe me moshën.
Menstruacionet, stresi, mungesa e gjumit, ushqyerja jo e ekuilibruar dhe përdorimi i shumë produkteve kozmetike mund ta përkeqësojnë problemin.
Për kujdesin e përditshëm, dermatologët rekomandojnë një rutinë sa më të thjeshtë. Pastruesi i butë, hidratuesi dhe kremi kundër diellit mund të jenë baza e saj. Përdorimi i shumë produkteve dhe trajtimeve njëkohësisht mund të irritojë lëkurën dhe t’i bëjë aknet më të dukshme.
Për trajtim mund të përdoren përbërës si acidi salicilik, peroksidi i benzoilit, adapaleni ose acidi azelaik, por është mirë të provohet një trajtim në një kohë.
Nëse aknet janë të vazhdueshme ose ndikojnë në cilësinë e jetës, konsultimi me dermatologun mund të ndihmojë në përcaktimin e trajtimit të përshtatshëm. Në disa raste përdoren kremra me retinoide ose medikamente të tjera, ndërsa kontraceptivët hormonalë mund të jenë një mundësi për disa gra, vetëm pas vlerësimit nga profesionisti shëndetësor.
Edhe gjumi i mjaftueshëm, menaxhimi i stresit, ushqyerja e ekuilibruar dhe kufizimi i sheqernave të rafinuara dhe alkoolit mund të ndihmojnë në menaxhimin e akneve. Megjithatë, aknet hormonale nuk mund të kontrollohen gjithmonë vetëm me ndryshime në stilin e jetesës.
Përtej trajtimit, ekspertët theksojnë edhe rëndësinë e pranimit të lëkurës dhe shmangies së krahasimit me imazhet e përsosura në rrjetet sociale, të cilat shpesh janë të filtruara. /Telegrafi/