Mbrojtësi i Interit, Manuel Akanji, ka folur për problemet defensive të skuadrës zikaltër në këtë sezon, duke pranuar se një pjesë e madhe e golave të pësuar kanë ardhur si pasojë e gabimeve individuale.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Zvicrës kundër Sllovenisë, futbollisti 31-vjeçar theksoi se skuadra ka diskutuar brenda grupit për këtë problem dhe se në ndeshjet e fundit ka arritur të përmirësohet.
“Futbolli është një lojë me gabime dhe kur bën një të tillë, shpesh pëson gol, sidomos kundër skuadrave të forta. Këtë sezon kemi bërë disa gabime individuale dhe besoj se shumë nga golat e pësuar kanë ardhur pikërisht për këtë arsye”, deklaroi Akanji.
“Pas derbit kemi biseduar brenda grupit. Ishte e rëndësishme t'i eliminonim disa gabime dhe besoj se në ndeshjet e fundit ia kemi dalë. Në dy ndeshjet e fundit nuk kemi pësuar gol, ndërsa kemi shënuar pesë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, shtoi mbrojtësi.
Akanji foli edhe për Comon, ndaj së cilës Interi fitoi 2:0 në ndeshjen e fundit.
I pyetur për skuadrën që po konsiderohet si një nga surprizat e futbollit italian, ai u përgjigj me ironi: “Çfarë fenomeni? Kam luajtur katër herë kundër tyre dhe i kam fituar të katër ndeshjet”. /Zëri

