Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se vendi po mbetet prapa shteteve evropiane në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji dhe standard të jetesës.
Gjatë debatit në Kuvend për Projektbuxhetin e vitit 2027, Abdixhiku ka vlerësuar se Kosova duhet t'i japë përparësi investimeve kapitale dhe zhvillimit ekonomik, në vend të mbështetjes së vazhdueshme të qytetarëve përmes ndihmave financiare.
Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë mund të krijojë një cikël të rritjes së çmimeve dhe varësisë nga ndihmat, pa prodhuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë kështu. Në ekonomi, të fundit në Evropë, shëndetësi, të fundit në arsim, të fundit në teknologji, të fundit si standardin e jetesës. Vite do të kalojnë, do të na rriten edhe më shumë çmimet siç po rriten sot. Do të kemi nevojë për më tepër ndihma për t’i përballuar këto çmime. Dhe këto ndihma kanë për të rritur prapë çmimet, sepse këtë punë ndihmat bëjnë, rrisin konsumin”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, në fund të këtij cikli Kosova rrezikon të mbetet me çmime më të larta, më shumë nevojë për ndihma dhe mungesë investimesh.
“Dhe në fund do të mbesim vetëm me çmime në rritje dhe me nevojë për më tepër ndihma. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike, do të mbesim pa gjënë e vetme për të cilën ka nevojë Republika jonë, pa investime dhe natyrisht me më pak vite jetë”, është shprehur ai.
LDK-ja synon koeficientin 150
Kreu i LDK-së ka theksuar se kritikat ndaj politikave të ndihmave nuk nënkuptojnë kundërshtim të rritjes së pagave apo mbështetjes financiare për qytetarët.
Ai ka bërë të ditur se partia që drejton synon që koeficienti i pagave të arrijë në 150, por ka thënë se ambicia për investime duhet të jetë edhe më e madhe.
“Dhe mos më keqkuptoni. Kjo kritikë vjen nga unë dhe nga LDK-ja që për koeficient page ka synim koeficientin 150. Pra ambicia jonë për paga është shumë e lartë, por ambicia për investime është shumëfish më e lartë. Dhe po, mund të bëhen të dyja. Edhe ndihma, edhe investimet. Por fillimisht shumë më shumë investime sesa ndihma”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se investimet duhet të jenë prioritet i një vendi që, sipas tij, ka nevojë për ndërhyrje të mëdha në pothuajse të gjithë sektorët.
“Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë. E vendit që ka nevojë për investime gjithandej, madje nuk ka fushë, nuk ka sektor, nuk ka drejtim që nuk ka nevojë për investime drastike në Kosovë. Jemi kesh, jemi shkreh, jemi të fundit në Evropë”, ka thënë ai.
Energjetika, rrugët dhe arsimi në fokus të investimeve
Abdixhiku ka veçuar energjetikën si një prej sektorëve ku mungesa e investimeve po i kushton shumë vendit. Sipas tij, Kosova vazhdon të shpenzojë qindra miliona euro në vit për importimin e energjisë elektrike, në vend se të investojë në kapacitete të reja prodhuese.
“Dhe duhet të kemi investime në energjetikë për shembull, sepse çdo vit po blejmë me qindra milionë euro rrymë, blejmë rrymë sepse s’po prodhojmë rrymë. Miliarda euro do të na shkojnë në blerje të energjisë e të tutje, kur mundemi lehtësisht me një pjesë të tyre, të ndërtojmë centrale të reja. Centrali i fundit në Kosovë është ndërtuar në vitin 1982, e para tij në vitin 1964. Kosova, disa vite para se të njerëzit të zbarkojnë në Hënë”, ka deklaruar ai.
Investime ka kërkuar edhe në infrastrukturën rrugore, duke kritikuar vonesat në përfundimin e projekteve të autostradave dhe rrugëve të tjera.
“Duhet të ketë investime në infrastrukturë, rrugë, sepse po bëhen dekada në Kosovë që autoudhat s’po përfundojnë asnjëherë. Marrë e madhe për besë, shumë marrë e madhe që ende flasim për asfalt. Kur veç rrugë bre duhet me shtru. Kur e pyet ministrinë thotë po bëjmë analiza, po me analiza s’shtrohet rruga. Shtrohet me investime, pare dhe me njerëz në kantier, atje në terren, që më pak se gjysmë mandati i përfundojnë të gjitha rrugët e Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.
Një tjetër prioritet që ai ka përmendur është arsimi, veçanërisht shtrirja e mësimit tërëditor në të gjithë vendin.
“Duhet të ketë investime në edukim, sepse pa mësim tërëditor, ta kuptojmë, pa mësim tërëditor gjithandej Kosovës, kemi me marrë në qafë një brez të tonë, fëmijët tanë”, ka thënë ai.
Abdixhiku: Na duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e BE-së
Duke folur për teknologjinë, Abdixhiku ka thënë se ky sektor përbën një mundësi të rëndësishme për Kosovën që të zvogëlojë dallimin me shtetet më të zhvilluara.
Ai ka paralajmëruar se, me strukturën dhe trendin aktual ekonomik, vendit mund t'i duhen tetë dekada për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian.
“Duhet të investojmë në teknologji, se është dritarja e vetme e Kosovës për t’i zënë shtetet që janë dekada larg prej nesh. A kuptojmë sot ne që me këtë trend, me këtë strukturë ekonomike, do të na duhen 80 vite, 80 vite, për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian? Jemi popull i ri në moshë, në Evropë, më i riu në Evropë, po i përcjellim trendet moderne të teknologjisë si të dorëzuar para kohe. A jemi të vetëdijshëm se kështu nuk kemi kah? 80 vjet për të dalë nga fundi në mes të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.
Në fund, kreu i LDK-së ka kërkuar investime edhe në turizëm, duke përmendur potencialin natyror të Kosovës dhe mungesën e komplekseve të mirëfillta turistike.
“Duhet investime në turizëm, sepse kemi pasuri natyrore që duhet të hapen për këto investime. Malet pa investime për besë na duhen. Brezovica po na pret. E ne s’jemi në gjendje si shoqëri, tash e 28 vjet në liri, me bërë një kompleks të vetëm turistik. Që është kjo mungesë ambicie kështu”, ka shtuar Abdixhiku.

