Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar politikat ekonomike të Kosovës, duke thënë se vendi po vazhdon të mbetet prapa shteteve evropiane në disa sektorë, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, arsimin, teknologjinë dhe standardin e jetesës.
Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku ka vlerësuar se orientimi i politikave shtetërore duhet të jetë drejt rritjes së investimeve, e jo mbështetjes së vazhdueshme të qytetarëve vetëm përmes ndihmave financiare, transmeton lajmi.net.
“Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë kështu. Në ekonomi, të fundit në Evropë, shëndetësi, të fundit në arsim, të fundit në teknologji, të fundit si standardin e jetesës”, ka deklaruar ai.
Sipas kreut të LDK-së, rritja e çmimeve do të shtojë nevojën e qytetarëve për ndihma financiare, ndërsa kjo qasje, sipas tij, mund të ndikojë edhe në rritjen e konsumit dhe çmimeve.
Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i një politike të tillë mund ta lërë vendin pa investimet e nevojshme për zhvillim ekonomik.
“Dhe në fund do të mbesim vetëm me çmime në rritje dhe me nevojë për më tepër ndihma. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike, do të mbesim pa gjënë e vetme për të cilën ka nevojë Republika jonë, pa investime dhe natyrisht me më pak vite jetë”, është shprehur Abdixhiku.
Megjithatë, ai ka theksuar se LDK-ja nuk është kundër rritjes së pagave dhe ndihmës financiare për qytetarët. Përkundrazi, ka bërë të ditur se partia që drejton synon që koeficienti i pagave të arrijë në 150.
“Ambicia jonë për paga është shumë e lartë, por ambicia për investime është shumëfish më e lartë. Dhe po, mund të bëhen të dyja. Edhe ndihma, edhe investimet. Por fillimisht shumë më shumë investime sesa ndihma”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka përmendur disa sektorë ku, sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente për investime, duke nisur nga energjetika, infrastruktura, arsimi dhe teknologjia.
Duke folur për sektorin e energjisë, ai ka kritikuar faktin se Kosova vazhdon të shpenzojë qindra miliona euro në vit për importimin e energjisë elektrike, në vend që të investojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Çdo vit po blejmë me qindra milionë euro rrymë, blejmë rrymë sepse s’po prodhojmë rrymë. Miliarda euro do të na shkojnë në blerje të energjisë e të tutje, kur mundemi lehtësisht me një pjesë të tyre, të ndërtojmë centrale të reja”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka kujtuar se centrali i fundit në Kosovë është ndërtuar në vitin 1982, ndërsa para tij një tjetër në vitin 1964.
Kritika ka adresuar edhe për infrastrukturën rrugore, duke thënë se projektet e autostradave po zvarriten për vite me radhë.
“Po bëhen dekada në Kosovë që autoudhat s’po përfundojnë asnjëherë. Marrë e madhe për besë, shumë marrë e madhe që ende flasim për asfalt”, ka thënë ai, duke shtuar se projektet duhet të realizohen përmes investimeve konkrete dhe punës në terren, e jo vetëm analizave.
Në fushën e arsimit, Abdixhiku ka kërkuar investime për vendosjen e mësimit tërëditor në të gjithë vendin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë mungesa e tij për gjeneratat e reja.
“Pa mësim tërëditor gjithandej Kosovës, kemi me marrë në qafë një brez të tonë, fëmijët tanë”, ka theksuar ai.
Një tjetër prioritet, sipas tij, duhet të jetë zhvillimi i teknologjisë, të cilën e ka cilësuar si mundësi për Kosovën që të ngushtojë hendekun me shtetet më të zhvilluara.
Abdixhiku ka paralajmëruar se, me trendin aktual ekonomik, Kosovës mund t’i duhen deri në 80 vjet për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian.
“Do të na duhen 80 vite, 80 vite, për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.
Në fund, kreu i LDK-së ka kërkuar më shumë investime edhe në turizëm, duke përmendur potencialin natyror të Kosovës dhe nevojën për zhvillimin e komplekseve turistike.
Ai ka veçuar Brezovicën si një prej mundësive që, sipas tij, nuk po shfrytëzohet mjaftueshëm.
“Brezovica po na pret. E ne s’jemi në gjendje si shoqëri, tash e 28 vjet në liri, me bërë një kompleks të vetëm turistik”, ka përfunduar Abdixhiku./lajmi.net/

