Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve në Kosovë, ku Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u rendit sërish si forca e tretë politike në vend, brenda partisë kanë nisur debatet lidhur me rezultatin zgjedhor dhe të ardhmen e lidershipit.
Së fundmi, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj, ka reaguar ndaj zërave kritikë brenda partisë që po kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe organizimin e zgjedhjeve të reja të brendshme.
Përmes një postimi në Facebook, Zogaj tha se pas çdo procesi zgjedhor është normale të ketë analiza, reflektim dhe mendime të ndryshme, duke e cilësuar këtë si një proces të shëndetshëm për çdo parti demokratike.
Megjithatë, ai kritikoi atë që e quajti “nguti” të disa zyrtarëve dhe anëtarëve për të dalë me deklarata publike, duke rikujtuar se vetëm tre muaj më parë LDK-ja kishte mbajtur Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku sipas tij ishte konfirmuar qartë drejtimi i partisë.
“Vitin e ardhshëm i kemi zgjedhjet e rregullta të brendshme, ku secili që ka ambicie, ide apo vizion tjetër, e ka derën e hapur të kandidojë dhe ta kërkojë besimin e anëtarësisë”, ka shkruar Zogaj.
Ai theksoi se LDK-ja është një institucion politik me traditë, statut dhe rregulla që duhet të respektohen nga të gjithë, ndërsa shtoi se rezultatet zgjedhore tregojnë se partia ka shënuar rritje dhe mbetet alternativë për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Zogaj bëri thirrje për maturi dhe unitet brenda partisë, duke kërkuar që debatet të zhvillohen në organet e LDK-së dhe në kohën e duhur.
“Na duhet më pak zhurmë dhe më shumë maturi. Më pak etiketime dhe më shumë punë. Më pak përçarje dhe më shumë unitet”, ka deklaruar ai./Telegrafi/
